Dështimi i rekrutimit dhe demaskimi në kampin e Spaçit

E Enjte, 23 Prill 2020 09:43

Nga Kastriot Dervishi

Dyjavëshin e dytë të korrikut 1985, Bedri Blloshmi niset në Rrëshen. Atje para kryetarit të DPB Mirditë, Bajram Pelo, 2 oficerëve të drejtimit të Degës së 8-të, i bëhet trysni me “materialet komprometuese” që të pranojë të bëhet bashkëpunëtor Sigurimi. Pasi nuk pranon, operativi i Spaçit, Gramoz Velçani, me miratimin e kryetarit të DPB Mirditë, sipas rekomandimit të zëvendësministrit Zylyftar Ramizi, vendosi demaskimin e Blloshmit më 30.7.1985 para rreth 100 të dënuarve në Spaç, si dhe dërgimin në Repartin nr.321 Burrel. Po këtë ditë, në mencën e Spaçit u  zhvillua ceremonia e demaskimit të Bedri Blloshmit në kushtet arrestimi (me duar në pranga). Kishin ardhur Bajram Pelo, dy oficerët e drejtimit të Degës së 8-të, komisari i repartit, operativi i të burgosurve politikë Gramoz Velçani dhe operativi i të dënuarve ordinerë. Folën disa të dënuar me moral të dobët, të cilët kërkuan që të pushkatohej sepse po “prishte të dënuarit”. Kryetari i DPB-së lexoi biografinë e Bedriut dhe kërkoi që të gjithë ta dënonin aktin e tij. Pas kësaj, Blloshmi qëndroi 20 ditë në birucën e Spaçit. Vijon vuajtjen për 20 ditë në Degën e Punëve të Brendshme Pukë, në të cilën një hetues e akuzoi“për vendosje dinamiti” në kohën kur vuante dënimin në Repartin 311 Qafë Bari. Pasi nuk i pranoi as këto akuza, vijoi sërish një javë në Repartin nr.313 Tiranë (kaush), për të përfunduar i shoqëruar nga oficeri i drejtimit të Degës së 8-të, Shyqyri Toska në Repartin nr.321 Burrel. Më 30.7.1985, operativi Gramoz Velçani, lë këtë shënim për procesin e dështuar rekrutues nga Bedri Blloshmit:“Ky i dënuar u studiua dhe u propozua për tërheqje në bashkëpunim pa ndaluar dhe u miratua. Por gjatë procesit të tërheqjes prej datës 25-28 korrik 1985, u punua, por si armik i betuar nuk pranoi asnjë episod të veprimtarisë së tij apo të tjerëve. Ishte kategorikisht mohues dhe kjo edhe pse familje me prejardhje e gjendje armike. Vëllai i pushkatuar, djali i dajës së babës i pushkatuar, babai ka qenë i dënuar, xhaxhai dhe daja i arratisurit, pra familje e shpallur kulak dhe aktualisht të internuar. Në këto kushte edhe porosia e zëvendësministrit  ishte që të demaskohej”.

Login to post comments