Nga Enver MEMISHAJ
Këtë vit populli shqiptar kujton dhe feston 100 vjetorin e Luftës heroike të Vlorës, 5 qershor – 3 shtator 1920. Për këtë luftë ka një mirëkuptim të plotë midis historianëve dhe studiuesve se ajo luftë vulosi me gjakun e mbi 200 dëshmorëve vendimet e Kingresit të Lushnjës, rishpalli Pavarësinë Kombëtare të përmbysur nga Lufta e Parë Botërore, pra vendosi fatin e Shqipërisë duke bërë pluhur e hi synimet grabitqare të fqinjëve, dhe e regjistori Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve. Për rëndësinë e kësaj lufte po citojmë disa personalitete të historisë sonë:
Kryeministri Sulejman Delvina, më 2 shtator 1920, dërgon këtë telegram në Vlorë: “Ju uroj me gjithë zemër për akordin që u ba. Atdhetarizmi e theroria që asht rrëfye në Vlonë, do të ndriçojë faqet ma të famshme të historisë sonë kombëtare... Ju lutemi që t`i kumtoni gjithë ushtrisë kombëtare urimet e mia të përzëmërta”.
Mid’hat Frashëri: “Punën e bënë vetë shqiptarët, kundër keqdashjes së të tjerëve, pa asnjë ndihmë syresh, as edhe një simpati platonike. Është e vërtetë kjo simpati nuk vonoi të vijë kur pa bota se shqiptari përpiqej për veten e tij me fuqinë dhe mjetet e tij”.
Prof. Arben Puto: “Lufta e Vlorës përbën një ndër faqet më të ndritura të historisë së Shqipërisë së pavarur… Nga pikëpamja e rëndësisë dhe e pasojave, si Kongresi i Lushnjës, ashtu edhe Lufta
e Vlorës mund të barazohen me Shpalljen e Pavarësisë në nëntor të vitit 1912”.
Prof. dr. Muin Çami e përkufizon rëndësinë e kësaj lufte me këto fjalë: “Vendimet e Kongresit të Lushnjës për të mbrojtur me çdo kusht pavarësinë dhe tërësinë territoriale të vendit, i vuri në
jetë Lufta e armatosur e Vlorës... Me fitoren e Luftës së Vlorës, populli shqiptar shpëtoi vëndin nga një fund tepër tragjik, nga copëtimi i tretë i trojeve shqiptare… E drejta e kësaj krenarie i
takon në radhë të parë popullit të Vlorës dhe të krahinës… Faktori i brëndshëm luajti rolin vendimtar në rifitimin e pavarësisë të shtetit shqiptar dhe të mbrojtjes të integritetit të tij territorial”.
* * *
Për fitoren e Luftës së Vlorës një kontribut të rëndësishëm dha qeveria e Sulejman Delvinës, veçanërisht Ministri i Brëndshëm Ahmet Zogu. Sulejman Delvina diti të manovronte, u tregua, një politikan i matur, i mpreftë dhe largpamës. Kur e pa se bisedimet diplomatike nuk dhanë rezultat, atëhere ai përkrahu mendimin e kryengritjes së armatosur.
Qeveria u deklarua asnjanëse, ndërsa nën rrogoz ajo përkrahu pa rezerva Luftën e Vlorës. Të gjitha ndihmat u organizuan në mënyrë të fshehtë nga Ahmet Zogu, edhe forcat ushtarake te viseve të tjera që shkuan në Vlorë për të luftuar deklaroheshin si forca vullnetare, e në fakt ato ishin dërguar në luftë nga qeveria, veçanërisht Ahmet Zogu.
Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm, e miratuan programin e hartuar nga Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare” të Vlorës, dhe qeveria planifikoi një zë në buxhet për këtë luftë.
Pas miratimit të qeverisë, vlonjatët intensifikuan përgatitjet për luftë. Qeveria ndiqte me vëmendje zhvillimet në Vlorë dhe kishte ngarkuar prefektin e Beratit, Xhafer Ypin, dhe nënprefektin e Fierit Xhevdet Meqemeja, që të merreshin kryesisht me dërgimin e ndihmave në Vlorë dhe të vepronin si një prapavijë aktive e kësaj lufte. Qeveria, organizoi një fushatë propogandistike të fuqishme kundër pushtonjësve italianë, pa u deklaruar vetë.
Me këtë rast po botojmë qarkoren që Ahmet Zogu, Ministri i Brendshëm i qeverisë së Sulejman Delvinës i drejtoi popullit shqiptar (AQSH, F. 152, V. 1920, D. 480, f. 1- 2).
Qarkorja ka të shënuar me dorë, në fund datën 19.1.1920, ndofta këtu kemi të bëjmë me një gabim të një sekretari të paditur, pasi nga përmbajtja qarkorja është lëshuar pas mbajtjes së Kongresit të Lushnjës, kur qeveria u vendos në Tiranë.
Q A R K O R E
Popull shqiptar!
Detyrën tande e mbarove plotësisht. Ndjeve rrezikun e atdheut të dashtun, kuptove rrugën e keqe dhe falimentin e politikës së brendshme dhe të jashtme të njerëzve, të cilët rasat edhe kohënat, por jo dëshira e jote i vuni mbruesit dhe rojtësit e të drejtave kombëtare, të nderit, të gjasë e të jetës tande.
Kuptove edhe more vesh shumë e shumë sende. More parasysh çfardo rreziku, dhe rende me vrap prej anë e kand Shqipnis në qytëtin e caktuem për me ju dhanë fund këtyne paudhësive, për me ju shmang politikës, e cila ishte tue të hup krejt prej faqes dheut si komb e shtet, edhe për me vue themelet e një sundimi thjesht kombëtar e të pa varun e të nji shteti i cili të përmbledhi ndë gji të tij gjithë bijt e vet, gjithë ata qi flasin gjuhën amtare shqip, gjithë ata qi lidhen ngushtazi me nji soj zakonesh, qi kanë një histori, nji gjak dhe po ato dëshira të njishëme.
I provove botës së qytetnueme, se nuk je , si ç’kallzojnë anmiqtë tuaj të prëbamun prej rodesh, fisesh e barjakesh të ndryshme e të pa lidhun midis tyre, qi s’kanë dëshira kombëtare e shtetënore të bashkëta; por se je si nji lis i gjanë, me shumë degë e gemba por i njishme, si një trup i cili asht gati me u rrëzue i vdekun përdhe, por jo me ul kryet përpara çdo të huaji.
Me rregullën dhe qetësinë qi mbajte si në zgjedhjet e përfaqësonjësve tand, si ndë mbështjelljet e Mbledhjes Kombëtare ashtu dhe me vendimet qi ke dhanë, ju provove të gjithëve se nuk je i egër, i pa qytetnuem , porse je i zoti dhe i dejshëm për liri të plotë.
Me anën e memorandumeve qi iu dhe në Mbledhje Kombëtare Fuqive të Mëdha, ju përmende të drejtat e tua qi nuk do ti durosh me i pa të shkeluna prej imperaializnit të shteteve fqinj me duar thatë, ju kallzove dëshirën e drejtë qi ke për me jetue midis popujve të Ballkanit si nji shok dhe mik i natyrshëm i tyre, ju kallxove se përpara vdekjes së pandershme si komb, preferon me vdek me nder, tue mbrojt të drejtat e tua të pa shlyeme.
Popull shqiptar!
Mbas këtyne dëshirave të shenjta dhe mbas masave, dhe vendime të ligjshme qi ke pas marrë, natyrisht prisje zhdukjen e çdo shenje të kohës së parë e të çdo kundërshtari të dëshirës e të vullnetit tand, pa tundue kështu qi sa ma parë të fillojshin njerzit e besimit tand qetësisht të vijshin ndë rrugë programin me të cilin i ngarkove, por mjerish nuk ndodhi kështu.
Nuk bëjmë fjalë përmbi ndodhinat e deri tanishme tue qenë se, gjithësjecili prej jush do të ketë mësue ndalimet qi ka heq kabineti deri sa të mrrijë këtu në Tiranë, të cilin e shpalli si kryeqytet të përkohshëm të shtetit shqiptar, por jemi të shtërnguem me ju ba të ditun ngjarjet të cilat kërkujt prej jush nuk do t’i ketë shkue ndërmend.
Sot as ma i vogli kant i Shqipnis nuk mbeti pa marrë pjesë, pa pëlqye e pa nënshkrue vendimet e Mbledhjes Kombëtare të Lushnjës. Natyrisht përpara kësaj çfaqjeje të gjithanëshme të dëshirës dhe vullnetit tand kërkush s’mundte me kujtue se do gjindeshin 2 - 3 veta me ju kundërshtue, me ju mohue dhe me u përbuz tue mbështetur nën ndihmat e disa njerëzvet të paguem.
Këta zotnij janë mjerisht ata, prej të cilëve prisje shpëtimin tand, tek të cilët do kohë ma parë kishe lidhun shpresën, e të cilëve u ke mohue, siç provohet me të drejtë, u ke pas mohue besimin për Mbledhje Kombëtare të Lushnjës. Këta janë Myfit bej Libohova, Fejzi bej Alizoti dhe Mustafa Kruja.
Këta janë qi nuk kanë lanë gurë pa lujtun, për me ndalue Mbledhjen Kombëtare të Lushnjës. Këto janë qi ndoqën dhe i përbuzën senatorët, këta janë qi kanë prue Shqipnin në buzë të vorrit dhe këta tash përpiqen me të hollat e tua të fabrikojnë nji kryengritje të brandshme për shkak të ditun edhe duan të zbrazin edhe fishekun e fundit kundër nanës së tyne, Shqipnis!
Këta zotnij po përdorin pasunin tande për vëllavrasje, këta po përbuzin dishirën dhe vullnetin tand bash në atë kohë kur po të kishin edhe nji pik gjak shqiptari ndë rrembat e ndë faqet do t’a pregatitshin vetë Mbledhjen Kombëtare e do t’u lishin simbas zakonit ndë shtetet e tjera, vendin njerëzve të tjerë në politikë të ndryshme tue qenë se ajo e tyre doli bosh.
Popull shqiptar!
Kabineti e njeh fort mirë dëshirën tande, sakrificat qi je gadi me ba për me sigurue vendin që i ke dhanë, e din mirë dhe asht i bindur se jo dy-tre veta, por legjione, nuk mundin me të pengue rrugën. E di bukur mirë ç’je tue prit prej tij, por sot mjafton vetëm me t’i paraqit këta zotnij të sipërpërmendun si kryengritës kundër shtetit, si jasht ligjës, si grabitës të fuqis dhe të pasunis tande dhe tue e hedh mallkimin e atdheut dhe përgjegjësin, për çka do qi mund të ndodh, kabinetit. Kabineti asht gadi tue qenë sigurë për qetësin, bashkimin, gjakftohtësinë dhe ndihmën tande, me u dhanë ndëshkimin e ligjshëm këtyne mohusve dhe ngatrrestarve të atdheut.
Tiranë, 19.7.1920
Ministri i Punëve të Mbrendëshme