1970/Burg se nuk shihte me sy Mao Ce Dunin dhe donte vdekjen e “babës së madh”

Tuesday, 19 May 2020 15:48

Nga Kastriot Dervishi

Lekë Martin Kola, lindur në vitin 1932 në Bardhaj të Shkodrës, u akuzua se më 11.4.1970, së bashku me dy shokë pune, duke udhëtuar me një zetor të fermës për të riparuar kazanë kishte shprehur disa fjali kundër udhëheqjes. Dy ditë më parë kish vdekur një anëtar i Byrosë Politike. Fjalët e tij ishin kundër “babës së madh” (E.Hoxhës) dhe në vijim edhe kundër Mao Ce Dunit. U arrestua më 29.5.1970. U procedua dhe kalua në gjyq. Midis të tjerash, në vendimin e gjykatës thuhej:

“Në fjalë e sipër, i përmendur pa një korb që po kalonte sipër dhe shtoi: ‘po vjen korbi nga Tirana me sjell lajmin e vdekjes së babës së madh’. me gjithë se dy shokët e tij e qortuan të pandehurin, ai nuk u vuri veshin duke menduar se i ka miq dhe mund ta denoncojnë.

Më vonë dhe pikërisht rreth orës 14.00 po të kësaj dite kur po këta të tre së bashku ndodheshin në vendin e quajtur ‘Qafë hardhi’ dhe radio po transmetonte ceremoninë e varrimit, i pandehuri përsëri me cinizëm tha: ‘ishalla së shpejti ulin mbi topin edhe trupin e babës së madh dhe pastaj të tjerë një e nga një, duke nënkuptuar shokun Enver dhe shokët e tjerë të udhëheqjes.

Edhe herë të tjera gjatë kësaj dite, i pandehuri në prezencën e dy dëshmitarëve ka shprehur me urrejtje dhe cinizëm fjalë analoge. Veç kësaj, tre ditë më vonë dhe në kohën kur dëshmitarët Rexhep Selmani dhe Pëllumb Buzha ishin duke parë një ekspozitë kineze, i pandehuri iu afrua dhe u th ‘unë këtë nuk e shoh me sy’, duke treguar fotografinë e shokut Mao Ce Dun”.

Gjykata e Rrethit Shkodër, me vendimin nr.118, datë 31.7.1970, e deklaroi fajtor në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal dhe e dënoi me 4 vjet burgim.

Modifikuar më Tuesday, 19 May 2020 18:29
Login to post comments