Në dy ditët të tjera të mbledhjes së Mukjes, u diskutua sërish për çështje teknike, si dhe u miratua një organ i përbashkët në rolin e një qeverie të përkohshme.
Mbledhja e 2 gushtit 1943
Filloi sërish me ndryshime të marrëveshjes së 26 korrikut. Pika II/5 u ndryshua kështu: “Komiteti definitiv të caktohet brenda datës 8 gusht 1943. Deri në caktimin e komitetit definitiv, detyrat e këtij të caktuara në procesverbalin e marrëveshjes do të ushtrohen prej një komiteti provizor. Komiteti midis atributeve të tjera, ka edhe atributin e proklamimit të independencës. Pika e parë me të cilën do të merret komiteti definitiv është çështja e proklamimit të independencës. Komiteti provizor do të përbëhet nga 12 veta, nga 6 për secilën palë”.
Mbledhja e 3 gushtit 1943
Më 3 gusht 1943 u mblodh për herë të parë Komiteti i Përkohshëm i Shpëtimit të Shqipërisë, i përbërë nga: Hasan Dosti, Hysni Lepenica, Skënder Muço, Vasil Andoni, Et’hen Haxhiademi, Xhemal Herri nga Balli Kombëtar dhe: Abaz Kupi, Mustafa Gjinishi, Spiro Koleka, Vasil Nathanaili, Malo Frashëri, Haki Stërmilli. Shtabi përbëhej nga Hasan Dosti kryetar dhe Mustafa Gjinishi sekretar. Komiteti lëshoi edhe një shpallje me thirrjen “Ja vdekje, ja liri”, në të cilën theksohej lufta e përbashkët me aleatët, lufta për një Shqipëri etnike, etj.