1978/Uzina 12 e metalurgjikut nisi punën me vdekje

Tuesday, 18 August 2020 12:47
Foto e Uzinës 12 dhe faksimile e ngjarjes Foto e Uzinës 12 dhe faksimile e ngjarjes

Nga Kastriot Dervishi

Kombinati Metalurgjik i Elbasanit ndoshta ka shënuar shifrën më të lartë të aksidenteve dhe vdekjeve në punë. Përveçse një kotësi ekonomike me kosto të lartë dhe ekologjikisht tejet i dëmshëm, mbetet pjesë e një studimi, numri i saktë i atyre që vdiqën apo humbën aftësinë për punë në këtë varr gjigand afër qytetit të Elbasanit.  Për t’u kujtuar është fakti se metalurgjiku nisi më 25.11.1962, me ndërtimin e Uzinës së Petëzimit, ndërsa pas disa vitesh, më 16.10.1971, Mehmet Shehu në prani edhe të ambasadorit kinez, Liu Xhen Hua, vendosi gurin e parë në veprën e re.

Uzina 12 ishte pjesë përbërëse e Kombinatit Metalurgjik, i cili me vendimin e datës 9.10.1978 të Komitetit Qendror të PPSH-së, mori emrin “Çeliku i partisë”. Uzina kishte oxhakun më të lartë të ndërtuar në Shqipëri, 120 metra. Ajo prodhonte koncentratin e hekurit për Uzinën e Gizës, si dhe karbonatit bazik të nikelit për Uzinën e Nikel Kobaltit. Uzina 12 punonte me mineralin e hekur-nikelit që vinte nga minierat e Pishkashit, Përrenjasit, Bushtricës, Gurit të Kuq. Uzina kishte 62 kuadro e rreth 1550 punëtorë. Ajo punoi deri në vitin 1991. Deri këtë kohë, me tymin e kuq karakteristik ishte ndotësi më i madh për qytetin e Elbasanit dhe gjithë zonën.

Provat e para për vënin në shfrytëzim të uzinës u bënë në qershor 1978. Më 15.8.1978 filloi punë reparti i gazit, por puna nuk vazhdoi se ndonjë një aksident i rëndë. Puna rifilloi në qershor 1979.

Komunikata nr.192, datë 16.8.1978 e MPB-së, njoftonte ngjarjen e rëndë në Elbasan:

“Më 15.8.1978, ora 14.30, gjatë vënies në funksion të linjës së oksigjenit në repartin e oksigjenit në repartin e gazogjenit të Uzinës nr.12 në Kombinatin Metalurgjik, plasi tubacioni i rregullatorit Gë103-IX dhe si pasojë u aksidentuan 8 punonjës. Prej tyre vdiqën në spital:

-Ibrahim Krasniqi nga Fieri, inxhinier.

-Ludmilla Tim Nikolla, vjeç 25, lindur e banuese në Durrës, inxhiniere kimiste.

Janë në gjendje të rëndë:

-Kostika Kristofor Mihali, 24 vjeç, lindur e banues në Tiranë, inxhinier kimist.

-Xhafer Xhemal Lloshi, vjeç 30, lindur e banues në Elbasan, elektricist.

-Mustafa Jaup Kana, vjeç 35, lindur e banues në Elbasan, kipist, anëtar partie.

-Luiza Ded Mëhilli, vjeç 24, lindur në Shkodër, e banues në Cërrik, inxhiniere kimiste.

-Llazar Gjata, vjeç 23, lindur e banues në Elbasan, kipist.

-Floresha Abaz Koçiu, vjeç 19, lindur e banues në Elbasan, kipiste”.

Komunikata nr.193, datë 17.8.1978 e MPB-së, bënte të ditur se nga gjashtë të aksidentuarit kishin vdekur Kostika, Mustafai, Luiza dhe Floresha.

Login to post comments