1967/Letra qesharake e “përfaqësuesve fetarë”: Nuk duam kushte, rroftë udhëheqja

E Enjte, 20 August 2020 12:42

Nga Kastriot Dervishi

Në vitin 1967 tre bashkësitë fetare të vendit në Tiranë ishin vendosur në një godinë e përbashkët. Pasi regjimi komunist i kishte degraduar komunistet fetare vit pasi viti, u kish vendosur në krye drejtues të papërshtatshëm, në vitin 1967 u dha shkelmin e fundit atyre. Por duke qenë të pasigurt e të paqartë se çfarë rruge do të ndiqnin, në arkiva kanë ngelur edhe praktika të paçuara deri në fund. Një e tillë është letra e përbashkët e datës 23.9.1967 e krerëve të komuniteteve fetare (nuk vendosin as titujt fetarë të tyre), e frymëzuar nga fjalimi i Enver Hoxhës në kongresin e 4-t të Frontit Demokratik më 13.9.1967. Nuk ka dyshim që letra nuk është hartuar prej tyre, por ata paraqiten si nënshkrues revolucionarë. Megjithatë përmbajtja e saj është interesante dhe deri diku zbavitëse. Mbi këtë tekst të shkruar edhe keq, kryeministri Mehmet Shehu më 26.9.1967

ka vendosur shënimin: “Dakord me propozimin. Të kihen parasysh në hartimin e buxhetit të 1968”. Megjithatë nuk ishte më nevoja, sepse u ndoqën rrugë të tjera dhe feja u ndalua fare.

***

Republika Popullore e Shqipërisë

Përfaqësitë e Besimeve Fetare

Tiranë 23 shtator 1967

Ne përfaqësuesit e besimeve fetare, të frymëzuar nga raporti historik që mbajti në Kongresin e IV të Frontit Demokratik të Shqipërisë, biri jonë i dashur, shoku Enver Hoxha, të frymëzuar nga hovi revolucionar që ka përfshirë masat punonjëse dhe gjithë popullin shqiptar dhe është mbërthyer në katër anët e vendit për të zhdukur dhe përmbysur mbeturinat e së kaluarës që janë pengesa për zhvillimin e lulëzimin e atdheut dhe popullit tonë. Të shtytur nga ndërgjegjja jonë që si pjesëtarë të këtij populli, i cili sot nën udhëheqjen largpamëse të Partisë së Punës të Shqipërisë, me në krye shokun Enver Hoxha ndërton i lumtur Shqipërinë e re, të kursejmë lekun e tij, për ta përdorur atje ku nevojitet, i propozojmë Këshillit të Ministrave, sa poshtëvijon:

1-Nga dy vetarat që disponojmë, të mbajmë vetë një dhe tjetrën t’ia dorëzojmë shtetit, pasi nuk na nevojitet.

2-Të shkurtojmë nga organika e personelit vartës vendin e një shoferi dhe të një shërbyesi, duke mbajtur vetëm një shofer dhe një shërbyese dhe kjo e fundit është më se e domosdoshme për përfaqësuesin e besimit ortodoks, i cili për shkak të moshës së tij të kaluar dhe për mospasjen afër të asnjë personi për t’i shërbyer, ka nevojë për një të tillë.

3-Nga 4 dhomat që na janë lënë në dispozicion për zyra, në katin e poshtëm të ndërtesës ku sot jemi vendosur, të mbajmë vetëm dy, një për përfaqësuesit e besimit mysliman dhe atë bektashi dhe një për përfaqësuesin e besimit ortodoks me sekretarinë e këtyre përfaqësive, duke lënë të lira dy dhomat e tjera.

4-Të kursejmë në çdo drejtim lekun për të mos ngarkuar me shpenzime të kota buxhetin.

Të sigurt se propozimet tona do të merren parasysh, lutemi të pranoni respektet tona dhe dashurinë e besnikërinë e pakufishme që kemi për Partinë e lavdishme të Punës, shokun Enver dhe për pushtetin tonë të dashur popullor.

Përfaqësuesit e besimeve fetare

Dhimitër Kokoneshi

H.Sulejamn Myrtaj

Iljaz Halilaj

Login to post comments