Nga Kastriot Dervishi
Haxhi Qamili u kthye në Shijak, por më 8 qershor 1915 u arrestua bashkë me njerëzit e afërt forcat e Esat Toptanit. Pasi forcat e Esatit dolën nga dara ku i kishin gozhduar përkrahësit e Haxhi Qamilit, për pak ditë arrestuan të gjithë krerët e kryengritjes dhe filluan proceset gjyqësore ndaj tyre. Kryetar i gjykatës ishte Xhelal Zogu, vëllai i Ahmetit. I pari u dënua me vdekje më 12 qershor 1915 Qamil Haxhifeza, i cili u var më 26 qershor 1915 në Durrës së bashku me Haxhi Qirën, Alush Qirën, Abdulla Gjinalin, Mehmet Gjinalin, dhe 3 të tjerë. Në Shijak u var Mersin Vokshi dhe Seit Picari me 5 të tjerë. Më 7 korrik u varën Musa Qazimi dhe Hajdar Hoxha. Më 11 korrik u pushkatua në kodrat e Rashbullit toger Ahmet Bejtaga, Maksut Troplini dhe Ferko Shënavlashi. Më 16 gusht 1915 u varën në litar Haxhi Qamil me Haxhi Markon. Më 17 gusht në Kavajë u varën Mehmet Perçemi dhe katër ditë më vonë Mehmet Sheshi. Më 14 shtator u var në Peqin, Nebi Bali dhe një tjetër. Të tjerë u pushkatuan në Berat. Esat Toptani kërkoi që askush nuk duhej të dënohej arbitrarisht por të gjykohej. Para varjes, Haxhi Qamilit i bënë një fotografi.