Nga Kastriot Dervishi
Motra e Bardhok Bibës ishte kundër kolektivizimin. Për kundërshti ndaj pushtetit ajo u arrestua. Bashkëshorti Preng Doçi i dërgon një telegram të ngutshëm Enver Hoxhës më 23.4.1967: “Ju njoftojmë se motra e Bardhok Bibës ndodhet e arrestuar për çështje kolektivizimi”. Hoxha e lexon letrën, por lë vetëm këtë shënim: “Mirë ja bënë kësaj. Është reaksionare. I marrtë të keqen Bardhokut”.
Informacion (mbi arrestimin e Marta Doçit), shkruar nga Petro Papi
Me anë të një telegrami që i drejtohet shokut Enver, i quajturi Preng Doço nga katundi Laç i Rrethit të Krujës, njofton se motra e Bardhok Bibës ndodhet e arrestuar. Për këtë çështje biseduam me shokët Lefter Goga (prokurori i përgjithshëm-shënim) dhe Piro Kodi (sekretari i parë i rrethit-shënim) dhe rezultoi: Marta Doçi, gruaja e Prengës, para 3-4 ditëve është arrestuar për “fyerje të organeve të pushtetit” Në katundin Laç është një kooperativë e mirë. Familja e Martës nuk ka hyrë me gjithë thirrjet që i janë bërë herë pas here. Me vendim të komisionit të çështjeve agrare, iu spostua toka pasi ishte në bllok të kooperativës dhe për këtë është njoftuar para një muaji. Kjo nuk ka pranuar dhe ka folur shumë keq. Komiteti i partisë në bashkëpunim me komitetin e partisë së rrethit të Rrëshenit, dërgoi në Laç, në familjen e tyre, gruan e Bardhok Bibës për t’i bindur. Ata e pritën shumë keq dhe ajo u largua që andej e zemëruar duke thënë: “Këta janë reaksionarë e unë nuk kam punë më me ta”. Para disa ditësh i prenë pemët dhe dërguan traktorin për të punuar tokën. Marta u doli përpara, i shau rëndë dhe nuk i la, duke qëlluar me gurë kryetarin dhe sekretarin e organizatës bazë të kooperativës. Kryetarin e qëlloi edhe me shpullë. Ka folur kundër kolektivizimin, kundër pushtetit dhe partisë dhe ka pasur edhe 3-4 takime me njerëzit e legatës italiane. Marta dhe familja e saj vazhdimisht kanë mbajtur qëndrim të keq politik. Mendojmë të mos i jepet asnjë përgjigje burrit.