Nga Kastriot Dervishi
Më 30-31 maj 1970 Enver Hoxha vizitoi Rrethin e Tropojës. Ditën e parë u zhvillua një miting i madh në qendër të Bajram Currit dhe të nesërmen u dha një drekë nga Komiteti i PPSH-së së rrethit. Për sigurimin e vizitës u morën masa të shumta. Komiteti i PPSH-së, me kërkesë të Degës së Punëve të Brendshme të atyshme, angazhoi 70 komunistë të kryenin detyra agjenturore-operative. Bashkëpunëtorët më besnikë “I penduari”, “Këngëtari”, “Shkolla”, “Kumbulla”, “Pojana”, “Fyelli”, “Hajdari”, “Rrufeja”, “Sateliti”, “Graniti”, “Kolçi”, “Shigjeta”, “Aparati”. U zgjodhën pionierët që do çonin lulet nga familje të besuara. Lulet do kontrolloheshin mos ishin të helmuara. U siguruan gjithë ballkonet e dritaret e vendeve ku do kalonte diktatori. U izolua “elementi armik”.
Në fund, më 31.5.1970, ora 21.00, në shkollën e mesme “Asim Vokshi”, u organizua një darkë. Në shkresën e nënshkruar nga sekretari i parë vendor Ali Kruja, janë listuar 164 persona, midis të cilëve edhe 11 kinezë: Han Cze Çun, Kan Tëj Fa, Vang Hiu Uën, Cy Shën Jen, Ma Shin, U Shën Po, Li Së Shën, Tin Ho Hua, Uan Zi Juan, Tuan Liu Jan, Liu Pin Hen. 6 persona ishin nga DPB Tropojë, 14 gazetarë. Ftesat i ndau Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të Rrethit.