Nga Kastriot Dervishi
Në vitin 1967 në Shqipëri një organizatë ndërkombëtar u dërgonte autoriteteve komuniste letra në të cilat kërkonte lirimin nga burgu për Zef Kadelin dhe Musine Kokalarin. Pas heshtjes së Tiranës zyrtare, ata menduan t’i dërgojnë një letër ambasadorit të Francës në Shqipëri duke kujtuar se ai mund të ishte një ndërmjetës për zgjidhjen e kësaj çështjeve dhe lehtësimin e vuajtjes së personave. Në fakt, drejtuesit e kësaj organizate ishin jo thellësisht të informuar pasi Musineja ishte liruar nga burgu prej disa vjetësh dhe jetonte e vetmuar. Brenda kësaj letre bëhen shënimet e duhura duke thënë se Zef Kadeli ishte nga Bulshari i Mirditës. Ishte dënuar si agjent i zbulimeve të huaja. Vëllai i tij, Pjetri, ishte arratisur.
***
Kërkesa për lirinë e Musine Kokalarit
Oslo 2 shkurt 1967
Zotit Morsi, ambasador i Francës në Shqipëri
Shkëlqesi!
Ne po ju shkruajmë si anëtarë të organizatës ndërkombëtare. Ashtu siç do ta shihni sipër kësaj flete, AI është një organizatë asnjanëse dhe humanitare. Dy prej grupeve tona në Norvegji, Grupi i “6” dhe Grupi “40”, punojnë për dy të burgosur të ndërgjegjes në Shqipëri. Meqenëse ne i kemi shkruar që prej një viti institucioneve dhe personave të ndryshëm shqiptarë, por prej tyre nuk kemi marrë asnjë përgjigje, shpresojmë se ambasada e Francës në Shqipëri do të mundë të na ndihmojë në punën tonë humanitare. Meqenëse se ne e dimë mirë se Franca është një vend me të gjithë të drejtat njerëzore, ne e mbështesim shpresën tonë në ndihmën tuaj. Kini mirësinë zoti ambasador që të merrni informata mbi të burgosurit tanë fatkeqë. Dy të burgosurit e ndërgjegjes janë:
1-Zef Kadeli, rreth 60 vjeç, ndodhet në burg prej 20 vjetësh. Ndodhet në burgun e Zvacit (në fakt burgun e Spaçit – shënim).
2-Zojusha Musine Kokalari shkrimtare dhe politikane, ajo është themeluesja e një grupi social-demokrat, para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ajo u arrestua në janar 1944 (në fakt janar 1946 – shënim) dhe u dënua me 20 vjet burg. Besohet se tani ndodhet në burgun e Peshkopisë (ndodhej e internuar-shënim).
Ne e dimë shumë mirë zoti ambasador se ju jeni shumë i zënë, por ne shpresojmë se ju do të keni mundësi që të na ndihmoni në kërkimet tona për këta të burgosur. Ne do të dëshironim të dinim se ku ndodheshin ato dhe kujt personave mund t’i drejtohemi ne për t’i ndihmuar.
Në pritje të përgjigjes tuaj, ju lutem zoti ambasador të pranoni shprehjen e ndjenjave tona plot respekt dhe mirënjohje.
Hans Leganger
Hoslum, Norvegji