Pavarësisht nga sa pretendohej, shërbimi i jashtëm i Sigurimit të Shtetit, i cili vepronte në rezidencat e ambasadave apo përfaqësive të tjera të Shqipërisë jashtë vendit, ishte një organ i paaftë që mezi sillte ndonjë informata jo të saktë mbi emigracionin politik jashtë Shqipërisë. Defekti i punës duket te rrjeti agjenturor, i cili ose ishte në shërbim të shteteve të tjera, ose nuk kishte asnjë kapacitet për të sjellë informacion. Italia ishte shteti i parë ku Sigurimi “ngriti” agjenturë. Këtu punët ishin të përbashkëta me UDB-në. U shfrytëzuan godina e misionit ushtarak e më pas të legatës. Të rekrutuarit e parë rezultuan gënjeshtarë. Me ikjen e misionit ushtarak, rrjeti informativ i ishte dorëzuar një studentit. Në fund të vitit 1947 ky ia dorëzon “Malos”, i cili banonte në të njëjtën godinë me zbuluesit jugosllavë atje, madje kishte të gjitha mjetet e ndërlidhjet këtu. Siç edhe do të shihet nga shifrat, bashkëpunëtorët e Sigurimit në Itali ishin shumë të pakët dhe pothuaj të gjithë jointeligjentë. Këtë armë e bënin të “fuqishme” legjendat dhe jo profesionalizmi.
Bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit në Itali sipas viteve
1945-1946, 1
1947, 1
1948, 7
1949, 1
1950, 2
1951, 1
1952, nuk kishte të dhëna
1953, nuk kishte të dhëna
1954, 6 (2 pa lidhje)
1955, 6
1956, 8
Emërtesat e zbulimit politik
1945-1946: Dega e 1-rë e Zbulimit Politik në Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare
1946-1956: Dega e 1-rë e Zbulimit Politik në Ministrinë e Punëve të Brendshme
1956-1962: Drejtoria e Zbulimit Politik në Ministrinë e Punëve të Brendshme
1962-1966: Drejtoria e Parë e Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme
1966-1991: Drejtoria e Tretë e Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme