Shokët e Zbulimit Politik ishin vendosur në ambasadat e huaja të vendeve ku ishin caktuar. Një ndër detyrat që i vinin vetes ishte edhe sjellja e të dhënave për NATO-n dhe ushtritë e vendeve ku ishin. Duke mos pasur fare agjenturë në administratën e “armikut”, të vetmen gjë që dinin ishte informacioni nga gazetat e dhe revistat. Shumë informacione për NATO-n merreshin nga revistat e kohës dhe vinin në Tiranë si raporte “tepër sekrete”. Një herë Mehmet Shehu u nxeh keq me shokët e zbulimit duke i thënë se këto raporte i lexonte në origjinal para se t’i sillnin ato sepse ishte abonuar. Kritikonte edhe përkthimin e shokëve të zbulimit. Një rast tjetër është ky kur në Itali, shokët e Sigurimit e kishin parë komandën e NATO-s.
Pjesë e një raporti
"Janë bërë përpjekje për të hyrë në objekte të rëndësishme ushtarake siç është p.sh. komanda e NATO-s në Napoli, por nuk ia kemi arritur...Në trajtimin financiar të agjenturës këtu, jemi treguar dorështrënguar, gjë që ka influencuar negativisht në ndonjë agjent për aktivizimin e tij. për arsye kursimi, jemi tërhequr nga kombinacione që kërkojnë shuma të konsiderueshme, por megjithatë, duhet thënë se këtu në Itali për një gjë të tillë, mendohet më seriozisht se gjetkë".