Nga Kastriot Dervishi
Pas prishjes me Jugosllavinë, në vend u përdor një sistem i ri grumbullimi e i furnizimit të popullsisë. Në fillim të janarit 1949, sipas një vendimi të KQ të PPSH-së dhe të qeverisë u vu në përdorim një sistem i ri grumbullimi, në bazë të të cilit bujku i shiste shtetit një sasi të caktuar drithi e prodhimesh të tjera, ndërsa tepricat i përdorte vetë. Në këtë mënyrë kishte filluar planizimi i detyrimeve. Në vend u krijuan tre lloj tregjesh:
-Tregu i garantuar, i cili siguronte ushqim e veshmbathje për të gjithë punonjësit në marrëdhënie pune, të pajisur me triska.
-Tregu reciprok, i cili furnizonte fshatarësinë prodhuese, nëpërmjet shkëmbimit të tepricave të prodhimeve bujqësore e blegtorale me prodhimet industriale të racionuara.
-Tregu i lirë, ku shiteshin artikujt e ndryshëm me çmime tregu.
Në hyrje të një porosie të datës 18.1.1949, të Komitetit Qendror të PPSH-së, për këtë çështje thuhej: “Qeveria e RPSH me propozimin e KQ të PPSH vendosi ndërrimin e sistemit të grumbullimit dhe të furnizimit të popullsisë duke caktuar një sistem të ri mbi baza më të drejta. Sistemi i furnizimit dhe sistemet e grumbullimit nuk kanë qenë të drejta dhe kanë dëmtuar ekonominë e vendit tonë, kanë vështirësuar shumë jetën e masave punonjëse. Sistemi i ri i grumbullimit dhe i furnizimit është i drejtë sepse ai mbështetet në mësimet e Leninit e të Stalinit dhe në eksperiencën e ndërtimit të socializmit në BS. Sistemi i ri i grumbullimit dhe i furnizimit do të ndihmojë ndërtimin e socializmit në vendin tonë, do të forcojë ekonominë e vendit tonë dhe do të përmirësojë jetën e masave punonjëse, do të jetë një mjet i rëndësishëm për shtimin e prodhimit e sigurimin e fuqisë punëtore, do të vërë në rrugë të drejtë e do të forcojë marrëdhënjet fshat-qytet, do të luftojë spekulimin e matrapazllëkun”.