Edhe në vendime të gjykatave, shihen në jo pak raste përdorimi i një gjuhe primitive që nuk kishte të bënte aspak me cilësimin e vepra penale apo provave përkatëse. Gjuha ideologjike dhe ajo thellësisht pa lidhje me çështjen spikat menjëherë në çdo vendim. Më poshtë është një pjesë nga vendimi nr.20, datë 8.7.1968 i Gjykatës së Qarkut Gjirokastër:
“...vepra e të pandehurit paraqet rrezikshmëri shoqërore të thekuar. Ajo drejtohet kundër partisë dhe pushtetit, kundër realizimeve të mrekullueshme të tyre, sot kur gjithë populli, i mobilizuar tërësisht dhe i udhëhequr nga mësuesi ynë i ndritur shoku Enver Hoxha, kalon nga fitorja në fitore. Parullat armiqësore të këtij armiku të tërbuar të partisë që arrin gjer atje sa të mohojë kontributin e shokut Enver, tingëllojnë si nota false, si zëri i çakejve të cilave populli ynë u ka krijuar një ambient mbytës, prandaj ata nuk bëjnë veçse të shtojnë vigjilencën e tij, të zbatojnë me këmbëngulje luftën e klasave për të ecur më me vrull përpara nga suksesi në sukses”.