Më 8-14 nëntor 1941 në Tiranë u organizua për herë të dytë një mbledhje me delegatët e 3grupeve komuniste, e cila formoi Partinë Komuniste Shqiptare. Në mbledhje nuk u përfshi Partia Komuniste e Andrea Zisit, e cila e konsideronte veten parti komuniste të formuar më parë. Formimi i partisë u bë sipas modelit të kompromisit që ishte arritur në fshatin e kolonëve malazezë në Kosovë, Vitomiricë, ku ishte edhe qendra e komunistëve jugosllavë e atjeshme. Organizata komuniste e Kosovës në shkurt 1942 përbëhej nga 302 komunistë të ndarë në 37 celula. Fare pak shqiptarë bënin pjesë në të. Pasi Miladin Popoçviçi dhe Dushan Mugosha formuan partinë, ata formuan edhe komitetet qarkore sipas prefekturave. Më poshtë është një letër mbi ditët e para të partisë. Miladini e quante ende të paformuar partinë sepse nuk kishte mbaruar shtrirja në bazë. Ai është munduar të përzgjedhë njerëzit e duhur si dhe ta drejtojë partinë drejt një profili të qartë terrorist. Letra e mëposhtme është ndër informacionet e para që Popoviçi dërgoi për eprorët e tij. Letra, sikurse shumë e shumë të tjera që posedojmë, është gjetur në Arkivin e Beogradit.
***
Letër e instruktorit të KQ të PKJ në Shqipëri Miladin Popoviçit (Milo), drejtuar KQ të PKJ-së Zvetozar Vukmanoviç Tempo (Zaro)
Të dashur shokë!
Kam provuar disa herë të lidhem me ju. Nuk e di a e keni marrë letrën time që e kam dërguar në adresë të komitetit Krahinor të PKJ për Kosovën, si dhe ato në adresë të PK të Malit të Zi dhe tani, nëpërmjet një kanali lidhjeje, edhe në adresë të komitetit Krahinor të PK të Maqedonisë.Duke patur parasysh rëndësinë dhe urgjencën e punëve, ne nuk kemi pritur përgjigje por jemi zhytur në punë. E kemi patur dhe e kemi plotësisht të qartë se Shqipëria është sektori më i rëndësishëm sot dhe arteria kryesore e lidhjes me imperializmin italian në Ballkan dhe se po Shqipëria mbetet baza më e sigurt për krijimin e çdolloj çete shoviniste kundërrevolucionare, që synon të fillojë luftën kundër luftës revolucionare çlirimtare të popujve ballkanikë. Prandaj pres të jepni miratimin që, përveç meje që di shqip, të sillni për të punuar edhe dy shokë të tjerë, që gjithashtu të dinë shqip. Siç e dini, kam qenë i burgosur nga italianët në Rozhajë. Unë vetë ndodhem këtu, në Tiranë, qysh nga 11 tetori 1941, kohë kur u arratisa.Kam biseduar dhe jam siguruar mbi nevojën e krijimit të partisë me elementët më të mirë të grupeve komuniste të këtushme, si dhe të një konference me shokët drejtues kryesorë të këtyre grupeve, me të cilët kam rënë dakord për të punuar. Po punoj organizativisht me secilin prej këtyre drejtuesve për krijimin e një partie të drejtuar nga një komitet qendror i përkohshëm, i përbërë nga njerëzit më të mirë të emëruar, ndër më pak të infektuarit nga puna e grupazhit. Kam ndeshur me mjaft struktura me emra konspirativë e të veçuar nga masat, nga të cilat kam përzgjedhur dhe krijuar celula. Kemi arritur të krijojmë një udhëheqje marksiste komuniste, dhe me rrugë e mënyra revolucionare të arrijmë deri tek konferenca. Një udhëheqje të tillë revolucionare e kemi formuar dhe siguruar në Korçë, ku kemi një organizatë unike dhe të fortë. Këtu, në Korçë, personalitetet dhe intelektualët e kanë shmangur përçarjen e grupit komunist. Por këtu ekziston edhe një grup trockist (partia e Andrea Zisit-shënim), ndër 8 grupe gjithsej në Shqipëri, i cili ka zhvilluar njëfarë pune. Ky grup ka ardhur në Shqipëri nga Greqia. Në përgjithësi, në të gjitha grupet ka mjaft paqartësi. Grupi trockist është i shkëputur nga të gjitha grupet dhe ka udhëheqjen e tij, por të tillë elementë trockistë janë të shumtë në krye të grupeve të tjera, por ne i kemi identifikuar dhe po përpiqemi t’i pastrojmë. Po shkoj në konferencën vendore të grupit komunist të Korçës, ku do të zgjedhim komitetin drejtues. Po mbështetemi më shumë në grupin e Korçës, i cili ka lidhje me Internacionalen komuniste. Do të ishte e dëshirueshme që ju të dërgonit delegatë për në konferencë, të cilët do t’i paraqisnim si përfaqësues të Internacionales Komuniste. Ndaj bëni çmos, (nëse është e mundur), që për këto zhvillime të lidheni edhe me Internacionalen. Këtu jemi në rrethana të vështira dhe do të futemi në një luftë reale me trockistët, nëse lind nevoja, pasi pa këtë veprim nuk mund të bëjmë asgjë. Ne po punojmë për aksione konkrete. Të tilla kanë qenë demonstratat në Tiranë, në Durrës dhe në Korçë, që kanë qenë masive, të ashpra e të përgjakshme, ku kanë marrë pjesë mbi 4 mijë vetë. Fashistët e kanë kuptuar se populli nga të gjitha viset e Shqipërisë, më 28 nëntor, ditën e Pavarësisë, u hodh në demonstrime karakteristike për luftën nacionalçlirimtare dhe me parulla të luftës kundër fashizmit. Rëndësia e parullave nuk është nënvizuar fort dhe këtë e kam quajtur gabim të shokëve. “Jashtë okupatorët” dhe “Shqipëria e lirë”, janë të vetmet parulla deri tani. Tashmë do të dalim me programin e Komitetit Qendror dhe do të përcaktojmë objektivat e punës dhe të luftës sonë, duke shpjeguar në radhë të parë rolin e BRSS, Gjermanisë dhe Italisë në këtë luftë, domosdoshmërinë e luftës çlirimtare dhe objektivin kundër kujt e me kë në krah. Ushtarët italianë, punëtorët dhe studentët që vijnë kalimthi nga Italia, na tregojnë se për momentin atje nuk bëhet kurrfarë pune me masat nga ana e Partisë Komuniste Italiane, megjithëse atje mendoj se ekzistojnë kushtet e favorshme për këtë.Megjithëse nuk e kemi krijuar ende partinë komuniste, bashkë me ta po punojmë për t’u bërë thirrje ushtarëve italianë, që të mos shkojnë në luftë kundër popujve serb e malazez dhe lëvizjes revolucionare atje, po të ngrihemi bashkë në luftë kundër fashizmit, në një lëvizje të armatosur popullore revolucionare, që do të na çlirojë nga thundra fashiste dhe do na sjellë lirinë.Këtu në Shqipëri ekzistojnë disa personalitete me ndikim popullor e kombëtar dhe po përpiqemi të lidhemi me to, që të fillojmë punën dhe aksionet. Kemi vendosur që nga konferenca të dalim me detyra për kapjen apo krijimin e lidhjeve për krijimin e çetave nëpër fshatra. Deri tani kemi vetëm një të tillë, të drejtuar nga Myslim Peza në Pezë të Tiranës, ku kemi dërguar shokët tanë dhe ai na është përgjigjur se është i gatshëm të luftojë okupatorët fashistë për lirinë dhe besoj se së shpejti do të hidhemi edhe në aksione.Do t’i fillojmë seriozisht aksionet, për të rritur popullaritetin tonë në popull.Këtu hyjnë padyshim sulmet mbi puset e naftës dhe centralet elektrikë, duke i hedhur në erë, në (Kuçovë), si dhe këputja e rrjeteve elektrike e telefonike në mbarë vendin, krahas hedhjes në erë të depove të municionit të armikut. Dhe këtë do ta bëjmë sa më parë që të mundemi.Shokët nga Maqedonia na kanë kërkuar ndihmë aktive në skajet territoriale të Shqipërisë dhe natyrisht që na kanë kërkuar zbatimin e rreptë të vijës së Internacionales Komuniste, veçanërisht të vendimeve të saj, që Partia komuniste të mbetet e organizuar sipas kufijve të vjetër territorialë. Madje këtë edhe tani, sikurse më parë, e kemi respektuar edhe për Kosovën dhe Metohinë. Dëshirojmë që të na dërgoni sa më parë direktiva, njoftime, sqarime e udhëzime, me anë të ndonjë letre pune, krahas lidhjeve dhe kontakteve që kërkuam.
Me përshëndetje shoqërore
Milo
Tiranë, 15.12.1941