1990/R.Alia: Duhet militantizëm dhe propagandë ateiste

E Enjte, 12 November 2020 13:22

Në nëntor 1990 pasi kishte marrë informacionin për mbajtjen e ceremonisë së parë fetare (mesha katolike) në Shkodër, Ramiz Alia u dërgonte një telegram sekretarëve të parë të rretheve. Ishte vërtet një përgjithësim rasti nga ato që u dërgonte Ministria e Punëve të Brendshme, degëve përkatëse në rrethe për ndonjë ngjarje që kishte ndodhur. Edhe Alia këtë rast nuk bënte gjë tjetër veçse tërhiqte vëmendjen për një proces që nuk mund të ndalej tashmë. Gjatë vitit 1990 Ramiz Alia në plenumet e mbajtura kishte premtuar ndryshime në kushtetutën staliniste të vendit, ndërsa nuk kishte ndërmarrë hapat përkatëse për të rregull me ligj një gjë të tillë që nuk do të ishte aspak çështje e pazgjidhshme për të duke pasur parasysh se pushteti i tij ishte i pakufizuar. Po ashtu Alia vazhdon të ironizojë vendet e shenjta siç është rasti që përmendet në raportin e mëposhtëm. Por më shumë se kurrë, Alia kërkonte nga vartësit e tij të partisë që të ishin vigjilentë dhe marksistë edhe në drejtim të propagandës ateiste.

Radiogram

Komiteteve të Partisë

(Sekretarëve të parë)

Sot në qytetin e Shkodrës u mbajt një meshë e besimtarëve katolikë. Morën pjesë rreth 5000 veta, fëmijë, gra e burra. Mesha u drejtua nga një ish prift dhe u mbajt në varrezat katolike. Meqenëse ky ishte një grumbullim i organizuar njerëzish, në bazë të ligjit përkatës organizatorët me emra kërkuan lejen e policisë dhe morën përgjegjësi që çdo gjë të zhvillohej me qetësi. Leja iu dha duke iu vënë si kusht që grumbullimi duhet të ngjasë vetëm një orë dhe t’i përmbahet karakterit fetar. Pra, të mos ketë asnjë parullë politike. Ndryshe, policia të ndërhynte sipas ligjit. Mesha zgjati aq sa parashikohej dhe u zhvillua me qetësi.

Këto t’i keni parasysh si informacion. Por edhe disa konkluzione duhet t’i keni parasysh:

1-Organizatorët e meshës nuk pritën ndryshimet në Kushtetutë. Ata vepruan shpejt e shpejt pas Plenumit të 12-të të Komitetit Qendror. Prandaj nuk kërkuan të hapnin ndonjë kishë, por të bëjnë meshë në varreza duke përfituar nga një festë fetare dhe ligji për manifestimet dhe grumbullimet.

2-Në qoftë se te ju paraqiten raste të këtilla, duhet të keni parasysh se për hapje kishash ose xhamish mund të diskutohet, por, për çeljen e tyre duhen pritur ndryshimet në Kushtetutë. Tjetër është çështja për ndonjë grumbullim fetarësh si ai që u bë në Shkodër. Por këto Partia e organizatat shoqërore duhet të përpiqen t’i evitojnë, duke intensifikuar propagandën. Por në fund të fundit të zbatohen me rigorozitet kërkesat e ligjit.

3-Në çdo rast çështjeve fetarë nuk do t’u jepet ngjyra politike. Në fakt edhe ata njerëz që shkuan në Shkodër nuk janë armiq. Ata janë besimtarë ose edhe kuriozë. Prandaj edhe me këto familje e njerëz duhet të vazhdojë puna edukative.

4-Është e qartë se fakti që në Shkodër u grumbulluan mijëra vetë, do të thotë se propaganda jonë ateiste ka qenë e dobët, se ndikimi i fesë vazhdon, madje është i fortë te disa familje e zona. Nga kjo Partia, Fronti, rinia etj duhet të nxjerrin mësime jo vetëm në Shkodër, por edhe në rrethe të tjera. Grumbullimi i mijëra vetëve në vende “të shenjta” si te kisha e Shënandout në Krujë, qirinjtë që ndizen në varreza ose edhe mesha aktuale në Shkodër, tregojnë se në komitete partie e organizata masash ka iluzione, nuk ka realizëm, ka llogari jo të sakta për efektin e punës së Partisë. Kjo duhet të bëjë që të reflektohet thellë, me qëllim që të përmirësohet rrënjësisht puna. Nëse duhet militantizëm, ky kërkohet veçanërisht në propagandë.

Duke patur parasysh sa më sipër, përballoni edhe pyetjet që mund t’ju dalin nga komunistë e masa, të cilët sigurisht do ta mësojnë ngjarjen e Shkodrës.

Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë

Ramiz Alia

11 nëntor 1990

Modifikuar më E Enjte, 12 November 2020 13:23
Login to post comments