1949/Zoi Xoxa si mësues i gjuhës shqipe

Premte, 13 November 2020 16:37

Doktor Zoi Xoxa (1902-1989), diplomuar jurist në Fakultetin e Drejtësisë në Romë në vitin 1926 ka qenë politikan, gazetar dhe avokat. Në shtypin shqiptar njihet si drejtor politik i gazetës “Shqipëri e Re” (1926 – 1928), drejtor politik i “Gazeta e Re” (1928-1929), pronar i gazetës “Djersa e Popullit” (1934-1935), pronar i gazetës “Drita” (1937-1939, të cilën e bleu nga Mati Logoreci). Shkroi edhe në disa gazeta të tjera si “Dielli”, “Albania”, “Besa”, etj. Po ashtu ka qenë inspektor i ministrit të Punëve të Brendshme, ndihmësanëtar i Këshillit të Shtetit, etj. Mori pjesë edhe në kongresin autoqefalist ortodoks të Korçës së vitit 1929. Në vitet 1932-1939 ishte deputet i Parlamentit shqiptar. Pas pushtimit fashist, dëbohet në Fier, burgoset dhe internohet. Në vitin 1945 rivendoset në Tiranë dhe hap një zyrë avokatie. Në vitin 1946 mbrojti Lef Nosin në gjyq. Turma e egërsuar në sallën e gjyqit nuk e lejoi të lexojë mbrojtjen. Pasojat vijuan disa muaj më pas. Mpleksej urrejtja politike dhe zila për t’i vjedhur shtëpinë. Fletëdëbimi nga Tirana erdhi tamam në ditën e mortit, kur Zoit i vdiq djali i vogël, Muzaka. Me arkivolin e Muzakës dhe me disa plaçka të thjeshta, familja Xoxa la shtëpinë në zemër të Tiranës dhe u vendos në Abdunac të Fierit. Në vitin 1948 Zoi vjen në Kavajë. Për shkak të mungesës së kuadrove arsimore, emërohet për pak javë si mësues të gjuhës shqipe. Në foton bashkëlidhur ai është si mësues kujdestar i klasës së 7-të të shkollë “24 Maji” në Kavajë. Edhe këtu nuk qëndroi gjatë, pasi e hoqën dhe e çuan punëtor në Beden. Në vitin 1951 arrestohet dhe mbahet 7 muaj në hetuesi. Nga kjo hetuesi doli me dorën e majtë gjysmë të paralizuar. Pas lirimit familja kthehet në Tiranë duke banuar në vende të papërshtatshme. Zoi punoi për disa kohë si korrektor bocash në Tiranë deri sa doli në pension. Bënte një jetë të mbyllur midis shtëpisë dhe Bibliotekës Kombëtare, aq sa vitet e fundit të jetës nuk bënte dallimin midis tyre. Një histori e thënë shkurt kjo, e pasuruar nga faktet që sillte shpeshherë me ngashërim djali i tij, Kostaqi.

Login to post comments