Kur ishte në pushtet, Tarrasi zbatoi edhe një porosi të anesë në lidhje me racionimin e ushqimit. Djathin e “kripi” me triska e tollona. Aneja e kish porositur mirë se si të mos mbaronte shpejt djathi. Ja si përshkruhet çasti kur Tarrasi ha bukë me djathtë në fillim të vitit 1944 në kasollen e Galigatit në Gramsh.
Merreni lexojeni këtë pjesë nga faqet 294-297 të librit “Mes njerëzve të thjeshtë”, (Tiranë 1984) i autorit Enver Hoxha. E njëjta teknikë agjitpropi e gënjeshtrës me lugën bosh përdoret edhe sot. Autori tregon për bujtjen në kasollen e Ymer Cohës dhe nënë Hurmasë në Galigat të Gramshit, diku nga fillimi i vitit 1944. Shikoni si e jep pretendimin e fshatarit Ymer Coha për jetën.
***
U shtrua sofra, u ça kulaçi i fortë si guri, por i ëmbël si sheqeri, ndonëse në të s'kishte asnjë grimë sheqeri, por ishte i ëmbël se qe gatuar me ndjenjën e dashurisë së pastër e të sinqertë të zemrave bujare të këtyre njerëzve të varfër të popullit. Në dritën e kandilit, afër zjarrit, hanim kulaçin prej misri që e prodhonte toka e varfër e Galigatit, kulaçin e mbrujtur nga dora e një gruaje shqiptare, që e kishte pjekur saçi i saj prej teneqeje. Neve na dukej sikur ishim në një banket të madh. Ajo na vuri përpara nga një kokërr qepë.
-Hajeni kulaçin me gjizë, biro, se gjiza është e kripur, - tha Hurmaja.
-Ma ke gjetur zemrën me këtë gjizë të kripur, - i them, - se unë jam gjirokastrit dhe plaka ime djathit i hidhte shumë kripë, pikërisht që të mos hanim shumë. Na jepte nga një cope të vogël, me një çikë kulaç dhe e hanim, ose e lëpinim, si me thënë, djathin, dhe e ngjyenim kulaçin shumë herë në shëllirën e tij të kripur. Po pse rri në këmbë, - i them Hurmasë, - hajde këtu afër meje.
-Jo, - tha ajo, - gratë rrinë në këmbë.
***
-Shoku komisar të zuri gjumi?
-Ja, po më zë Ymer, — i thosha.
-Po sa pa fjetur, a mund të më thuash edhe një gjë?
-Fol Ymer.
-A do të ketë para kur të qeverisim ne?
-Do të ketë Ymer, por do të jetë paraja jonë, paraja e popullit, këtë para që kemi sot do ta çjerrim e do të shtypim të reja që do të kenë vlerë të madhe dhe do ta mbushim tregun tonë me mallra e me prodhime që do t'i bëjmë vetë, këtu në vend.
Dhe Ymer Coha vazhdonte të më pyeste:
-Po kripë do të kemi shoku komisar?
-Patjetër do të kemi, -i përgjigjesha, - i tërë deti do të jetë yni. Gjermanët dhe tradhtarët do t'i flakim tej. E ke parë detin?
-E kam parë, -thoshte Ymer Coha, -kur kam qenë ushtar në Durrës. Pra, i gjithë bregu i detit do të jetë yni dhe kripa del nga deti, kështu që do të kemi plot.
-Del edhe nga toka Ymer. Ne do të nxjerrim kripë edhe nga deti, edhe nga toka dhe atë do ta shesim fare lirë.
-O sa i mirë është ky komunizmi! – thoshte Ymer Coha.
-Dhe tani fli, shoku komisar, fli se të lashë pa gjumë.
-Jo Ymer, unë do të bisedoj me ty derisa të gdhihet, derisa të dalë dielli dhe bora të shkëlqejë. Por dielli do të shkëlqejë tamam i fuqishëm kur ne të mundim armikun; atëherë në atdheun tonë do të ndritë dielli i lirisë.