Instruktori jugosllav i ushtrisë Vojo Todoroviçi (1914-1990) është njëri nga personat përgjegjës për krime lufte, i cili udhëzoi masakrat në Tiranë ndaj elementëve të evidentuar nga komitetet qarkore se ishin pjesë e administratës së vjetër shqiptare, të shkolluar dhe me ndikim. Siç edhe dihet jugosllavët formuan dhe kontrolluan të gjithë lëvizjen komuniste të Shqipërisë. Në botimet e pasluftës, agjitatorët komunistë janë përpjekur që emrin e tij ta heqin.
Me 30.10.1944 Enver Hoxha nënshkroi disa telegrame. Në të parin thotë se duhet “të sulmohej Tirana me çdo kusht”, pasi nuk duhej pritur që “gjermanët të tërhiqen”. Një tërheqje e gjermanëve sipas planit të vet, do të bënte që partizanët të hynin në kryeqytet fare pa lavdi. Duhej të jepej përshtypja se ishte luftuar shumë, një luftë që “rastiste” pikërisht me largimin e përgjithshëm të ushtrisë gjermane nga Ballkani. Në të njëjtën kohë, Hoxha kërkonte një “sulm diversioni” në Elbasan për të tërhequr vëmendjen. Porositë përkatëse do t’i jepte major Vojo Todoroviçi. Në botimin “Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, 5 korrik 1943-10 korrik 1945”, Tiranë 1966, në faqen 263, emri i majorit Vojo Todoroviçit është hequr.