1946/Dënimi i inxhinierëve në procesin e Maliqit

E mërkurë, 18 November 2020 14:17

Më 5 maj 1946 me anë të një ceremonie të posaçme ku përshëndeti zëvendëskryeministri Koçi Xoxe, filluan punimet për tharjen e kënetës së Maliqit. Këtu u deklarua se tharja do mbaronte brenda datës 28 nëntor 1946. Duke e marrë çështjen me mendjelehtësi, qeveria komuniste nuk arrinte të llogariste sasinë e punimeve dhe kohën e mjaftueshme. Në kantier punonin teknikët shqiptarë dhe jugosllavë. Deri në korrik ishte drejtues ing.Abdyl Sharra dhe më pas ing.Kujtim Beqiri. Këtu punonin edhe teknikët jugosllavë. Mosplotësimi i afateve, rastisi me deklarimin përfundimtar të qeverisë amerikane se nuk do ta njihte qeverinë e Enver Hoxhës.

Më 13.8.1946 me anë të një note zyrtare Enver Hoxha i deklaroi kreut të misionit diplomatik amerikan Jacobs, palëvizshmërinë nga vendimet e Kongresit të Përmetit, duke mëtuar se traktatet përkatëse ishin nënshkruar “nga regjime antipopullore”. Jacobs së bashku me zëvendësin e tij Henderson takuan për rreth dy orë më 9.10.1946 për herë të fundit Hoxhën, pa rritur ndonjë përfundim pozitiv, pasi kryeministri shqiptar vazhdoi të mbrojë tezat e mëparshme. Ai, madje akuzoi SHBA-në se kishte ndihmuar Greqinë kundër Shqipërisë, kur në të vërtetë qëndrimi zyrtar amerikan nuk e kishte bërë këtë. Kur Jacobs përmendi si rast të ngjashëm çështjen e Kosovës, Enver Hoxha tha prerë se nuk kërkonte nga “aleatja Jugosllavi” krahinën e përmendur. Jacobs u largua më 10 tetor ndërsa misionin e vazhdoi për pak kohë zëvendësi i tij. Më 10 nëntor 1946, misioni amerikan u largua nga Shqipëria. Komunistët, të instruktuar nga specialistët jugosllavë, kryen arrestime në shtator-tetor 1946 dhe nisën dy procese të mëdha gjyqësore. Njëri u bë publik. Skenari ishte e tillë: meqë inxhinierët kishin mbaruar Shkollën Teknike Amerikane, me siguri duhet të ishin udhëzuar nga ish drejtori Fultzi, i cili bënte pjesë edhe në misionin diplomatik amerikan. Në të vërtetë Fultzi e mësoi kur u zhvillua gjyqi se për çfarë bëhej fjalë. Gjyqi u zhvillua më 8-18 nëntor 1946. Në përfundim, Gjykata e Lartë Ushtarake, e përbërë nga: nënkolonel Gaqo Floqi, anëtarët kapitenë të parë Veledin Zeneli dhe Nexhat Hyseni, me pjesëmarrjen e prokurorit kapiten i parë Nevzat Haznedari, përpara një turme fanatike, me vendimin nr.17, datë 18.11.1946, vendosi:

-Me vdekje, varje në litar: Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri.

-Me vdekje, pushkatim: Eugenio Scaturo, Vasil Mano, Zorika Mano.

-Mario Guarnieri dhe Pandeli Zografi me burgim të përjetshëm.

-Mihal Stratobërdha me 10 vjet burg.

-Anastas Risto me 2 vjet burg.

-Jani Borova me 1 vit me kusht.

Ish i dënuari Pandeli Zografi, vite më vonë e kujton kështu këtë proces:

“Hetimi ishte i tmerrshëm. Donin me doemos të pranonim se ishim agjentë amerikanë. Në qeli na fusnin spiunë që na provokonin për të mësuar diçka. Hetuesit më kërkuan të pranoja akuzat, duke më kërcënuar se do përfshinin në proces edhe nënën time. Hetuesi (Petrit Hakani) ishte një bishë e vërtetë që përdorte çdo mjet t’ia mbërritur qëllimit. Duhej të pranonin se SHBA na kishte rekrutuar nëpërmjet Fultzit. Dukej që Shqipëria po i ndërpriste marrëdhëniet me SHBA e Anglinë. Gjithçka që detyroheshim të thoshim, ishte rreth këtij problemi. Na dukej paradoks, se deri pak më parë, ishin aleate. Nuk e kuptonim nëse ishte ndonjë provokim, apo atë kërkonin vërtet. Por izolimi ku ishim, na bënte më të vështire ta besonim këtë kthesë të pakuptim. Atmosfera në gjyq ishte mbytëse. Një teatër i vërtetë. Njerëzit që merrnin pjesë në gjyq, ishin kryesisht oficerë, që brohorisnin me fanatizëm: "Vdekje, vdekje". Në hetim ishim të shfytyruar. Nuk ishim më njerëz, por skllevër. Na torturuan edhe duke na futur deri në fyt nën tokë. Britmat na i mbulonin me radion, me zë të lartë”.

Login to post comments