Nga Kastriot Dervishi
Çlirimeve imagjinare nuk ka si mos u ndrijë si margaritar, kryefalsifikimi më i madh, ai i Shkodrës. Nuk rezulton asnjë lloj beteje e zhvilluar. Të dehur partizanët u lëshuan rrugëve të qytetit duke u sjellë si fitues të një lufte imagjinare të pazhvilluar. Dokumentet e trashëguara flasin për luftime jashtë qytetit, por në asnjë rast brenda tij. Nuk raportohen të vrarë. Në dokumentet e Partisë së Punës “çlirimi” i Shkodrës u atribuohet brigadave 7, 14, 22, 23 dhe Divizionit të 2-të.
-Në librin me datat përkujtimore, “Kronikë e ditëve të stuhishme”, Tiranë 1972, botim i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Popullore, Tiranë 1972 (botimi i dytë), faqe 487-488, nuk jepet asnjë element lufte për ndonjë betejë në Shkodër. Shkruhet vetëm kështu: “Më 29 nëntor 1944, Shkodra, qyteti i fundit që mbahej akoma nga armiku, u çlirua. Kjo ditë shënoi edhe çlirimin e plotë të Shqipërisë”.
-Në dokumentet e Divizionit të 2-të, nuk gjendet asgjë për ndonjë “çlirim” të Shkodrës. Aty mund të gjendet një historik i Brigadës së 18 për luftime në zonën Pukë-Kukës, etj, por asgjë rreth Shkodrës.
-Duke qenë se historiku i Brigadës së 14 është një tekst deri më 14.10.1944, në ato shënime nuk mundëm të mësojmë ndonjë gjë.
-Në historikun e Brigadës së 7, për “çlirimin” e Shkodrës shkruhet: “Më 28.11.1944, brigada jonë në bashkëpunim me Brigadën 22 sulmon qytetin e Shkodrës. Armiku i tmerruar nga grushtet e shumta që pati marrë gjatë luftimeve, po sa mori vesh që partizanët po (i) afrohen qytetit, u larguan me shpejtësi, pa mundur të bëjnë asnjë dëm. Në mëngjesin e datës 29.11.1944 (në origjinal shënohet gabim muaj me nr.9-shënim), Brigada e 7 hyri në Shkodër”.
-Në historikun e Brigadës së 22, shkruhet: “Pas çlirimit të Pukës, forcat e Brigadës 22 hidhen në krahun e Shkodrës. Armiku në ikje ka prishur urën e Vaut të Dejës mbi Drin. Por kjo gjë nuk i pengon partizanët. Disa varka të vogla (u) vunë në veprim për të kaluar lumin. Filloi lufta për Shkodrën që zhvillohet e ashpër në malet e Gurit të Zi e Bok Bardhaj, ku nazistët pësuan humbje. Prej këtu hidhet te ura e Mesit afër Shkodrës. Pas përpjekjesh të përgjakshme për 2-3 ditë gjermanët ikin duke lënë shumë të vrarë. Topat automatikë dhe tanket që vuri në veprim armiku, nuk u thyen hovin forcave tona. Kështu që më 29.11.1944 forcat tona hynë në qytetin e Shkodrës”.
-Në historikun e Brigadës së 23, “çlirimi” i Shkodrës zë vend fare të vogël. Nuk bëhet fjalë fare për ndonjë betejë apo luftë në qytet. Lufta është në rrethina dhe kundër ballistëve. Madje thuhet se edhe brigadat e tjera kanë ardhur më pas. Ky historik i është paraqitur Divizionit të 2-të më 2.2.1945 nga komandanti i shtabit të Korparmatës së 3-të, kolonel Shefqet Peçi.
Për datën 28.11.1944 shkruhet: “Forcat e Batalionit të parë të Brigadës 23 (në origjinal shkruhet gabim 24-shënim) sulmojnë Beltojën dhe Bërdicën. U zunë 92 ballistë në një lundër në grykën e Bunës”.
Për datën 29.11.1944 shkruhet: “Sot në mëngjes hyri në qytet dhe vendosi flamurin e lirisë në kalanë e Shkodrës, të cilën e kishin mbrojtur me aq sakrifica. Populli pret partizanët me një entuziazëm të patreguar, duke zbrazur armë në shenjë gëzimi. Më vonë, zbresin në Shkodër brigada 7 dhe 22, grupi i Shkodër dhe Brigada e 14. Shtabi operativ i dy brigadave shpërndahen dhe formohet shtabi operativ i brigadave 7, 22, 23, 14”.