Nazim Sait Brahimi, Ferit Tahja, Cuf Tahja (të dy vëllezër) u arrestuan dhe dënuan në vitin 1975 në Shkodër për shpërndarje traktesh. Në këto trakte diktatori i Shqipërisë, drejtuesi i një regjimi shtypës dhe terrorist, cilësohej me një varg epitetesh. Në letrën nr.56, datë 18.10.1975 të kryetarit të Gjykatës së Rrethit Shkodër për sekretarin e parë të Komitetit të PPSH-së së Rrethit, Prokop Murra, për këtë gjykim, ndër të tjera thuhej: “Në traktet dhe fletushkat që kanë shkruar këta tre armiq, nuk janë kufizuar vetëm në përdorimin e shprehjeve dhe thirrjeve për përmbysjen e pushtetit popullor, por kanë përdorur edhe fjalë shumë fyese e cinike kundër udhëheqësve kryesorë të partisë e të shtetit. me këto shprehje ata demaskuan veten si armiq të tërbuar të partisë e të pushtetit popullor dhe nga ana tjetër nxorën në pah degjenerimin e tyre politik dhe moral”.
***
Një trakt i hedhur
PQKT
Kriminelët e Tiranës janë në grahmat e fundit të jetës. Për të fshehur gjendjen ata organizojnë manifestime dhe bëjnë gjyqe nga ato të Shvjegut, fjalime më të avancuara se ato të Duçes dhe Hitlerit. Bëjnë kurban shokët e vet dhe flasin për bllokada në një kohë kur jetojnë në vila, blejnë vetura, shtrojnë dreka e darka që i vetmi monark (Zogu) as më mund t’i ëndërronte. Ti vetëm bukë e djathë! Mjaft më. Borgjezohesh. Po ke një të drejtë: propozon me e heq djathin. Rroga jote ulet çdo ditë. Direkt e tërthoras ngrihen çmimet. Popull si ke një të drejtë: me propozuar uljen e pagës tënde, me zmadhuar normën e punës, mos me kundërshtuar asnjë urdhër dhe mundësisht luaj rolin e gomarit të Nastradinit. Punë pa ngrënë se ka edhe më keq: burgu. Shqipëria u kthye në burg të zi, në burg! Ç’duroni më? Luftoni e mos e ulni veten kaq poshtë. Përveç armëve ka edhe mjaft mjete për t’i luftuar këto shushunja, bisha, vrasës. Mehmeti është kanibal. Enveri është kryekanibal, aktor, homoseksual, kameleon, dështak, bishë, jago, tartuf, pusht dhe prostitutë politike.
Poshtë qeveria kriminale e Tiranës (LSH)