Nga Kastriot Dervishi
Koha ka treguar se aty ku pushteti organizon terror për një kohë të gjatë, zgjedhjet janë vetëm një procedurë legalizuese. Shembull për këtë janë zgjedhjet e para komuniste të 2 dhjetorit 1945.
Pas vendosjes së pushtetit të tyre, komunistët përgatitën zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese, duke vazhduar të vepronin nën maskën e Frontit. Kongresi i Frontit Demokratik, kishte përcaktuar si forcë drejtuese “klasën punëtore”, e cila në shkurt 1945 ishte organizuar në sindikata, ndërsa baza e gjerë ishte fshatarësia. Organizata e tjera të masave, leva të PKSH-së, bënin pjesë në Front. Më 24 shtator 1945, u mbajt në kinema “Kosova”, mbledhja e tretë e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, i cili në përputhje me vendimet e Kongresit të Përmetit, miratoi “ligjin” për Asamblenë Kushtetuese. Shtypi shkruante se Asambleja Kushtetuese do të vuloste e do të forconte demokracinë, sjelljen e një “republike demokratike”, etj.
Në të vërtetë këto zgjedhje vijonin të bëheshin sipas skemës jugosllave, e cila i kishte shpallur zgjedhjet për më 11 nëntor 1945. Pasi u miratuan të gjitha “ligjet” e dala nga Kryesia e KANÇ-it nga Mbledhja e Dytë e Beratit më 26 shtator 1945, të nesërmen u miratua “ligji” për Asamblenë Kushtetuese. Sipas “ligjit”, pas zgjedhjeve, asambleja do t’i jepte Shqipërisë statutin dhe ligjet e tjera. Asambleja thirrej me vendim të Kryesisë së KANÇ-it, mbi propozimin e kryeministrit. Asambleja e quante të mbyllur misionin e saj me miratimin e Statutit.
“Ligji” nr.124, datë 28 shtator 1945 “mbi zgjedhjen e përfaqësuesve të popullit në Asamblenë Kushtetuese”, u mor nga modeli jugosllav. Sipas “ligjit” zgjedhjet bëheshin në një ditë të vetme, sipas urdhrit të Kryesisë së KANÇ-it, me propozim të kryeministrit. Për herë të parë votonin gratë. Zgjedhjet bëheshin në rrethe dhe në qarqe zgjedhore. Këto u korrespondonin prefekturave sipas ndarjes administrative. Për çdo 12 mijë banorë zgjidhej një deputet si dhe për ndonjë fraksion 6 mijë banorë, duke marrë për bazë regjistrimin e popullsisë së vitit 1930. Si rregull i përgjithshëm për çdo nënprefekturë zgjidhej një deputet.
Komisionet e zgjedhjeve ishin në tri nivele: KQZ-ja, KZQ-ja (për qarkun) dhe KZRR-ja (për rrethin). Të gjithë anëtarëve të komisioneve iu caktoheshin zëvendës. KQZ-ja emërohej nga Kryesia e KANÇ-it. Ajo përgatiste teknikisht zgjedhjet, emëronte komisionet e zgjedhjeve të qarqeve, caktonte numrin e përgjithshëm të përfaqësuesve, vërtetonte listat, gjykonte vendimet e komisioneve vartëse dhe shpallte përfundimet. Në çdo qark zgjedhor (prefekturë) formoheshin pranë komiteteve ekzekutive komisionet e qarqeve (KZQ).
Më 1 tetor 1945, Kryesia e KANÇ-it vendosi datën e zgjedhjeve më 2 dhjetor 1945 si dhe emrat e anëtarëve të KQZ-së. Zgjedhjet u zhvilluan ditën e caktuar. Opozita nuk mundi të marrë pjesë në to. Nuk u përfill në asnjë element kërkesa e vetme e saj për shtyrjen e zgjedhjeve. Viti pasues nisi me arrestimin e opozitës.