Nga Kastriot Dervishi
Me rastin e 30 vjetorit të pavarësisë, kryeministri i vitit 1942, Mustafa Kruja, ish firmëtar i pavarësisë, për të demonstruar ndjenjat e tij nacionaliste, ndër të tjera, ndërmori dy nisma: hoqi sëpatat nga flamuri kombëtar, si dhe ndërtoi një memorial në sheshin “Skënderbej”, aty ku është sot shtatorja e Skënderbeut. Mustafa Kruja njihej si nacionalist antikomunist që e mendonte zgjidhjen e çështjes kombëtare të lidhur me regjimin fashist. Memoriali në shesh ishte i thjeshtë, një shqiponjë dykrenore, poshtë së cilës shkruhej: “Ismail Qemal. 28.11.1912”. Kur hynë në Tiranë, komunistët e prishën emrin e Ismail Qemal Vlorës dhe në vend të tij vendosën tekstin: “Gjaku i heronjve tonë siguroi lirinë popullit. Lavdi e përjetshme dëshmorëve”. Nuk u duhej më emri i kryeministrit të parë të shtetit shqiptar. Internacionalizmi dhe revolucioni proletar kishin më shumë rëndësi.