Nga Kastriot Dervishi
Inxhinier Selim Zyma (1897-1948), ndër topografët e parë shqiptarë asokohe drejtor i Drejtorisë së Emigracionit dhe Reformës Agrare, në një artikull studimor të quajtur “Relacion mbi gjendjen fondjare në Shqipni”, botuar në revistën “Buletini teknik”, organ teknik i Ministrisë së Bujqësisë dhe Pyjeve, nr.2, shtator 1943, jep të dhëna sa interesante aq edhe dëshpëruese rreth kadastrave të shtetit shqiptar. Zyma që i shpëtoi vdekjes kur u vra gjenerali Telini në vitin 1923, u vra me gjyq nga komunistët në vitin 1948. Ai ishte një pasuri intelektuale kombëtare e çuar me mizori dëm. Teksti i mëposhtëm mbështetet mbi studimin e tij.
***
Në vitin 1863 qeveria osmane filloi të organizojë kadastrën e vetë, tejet primitive deri këtë kohë, duke vendosur regjistrimin e gjithë pasurisë private e shtetërore. U krijuan komisione dhe zyrat e kadastrës. Komisionet shkuan në vend duke u mbështetur në deklaratat e pleqësisë dhe miratimet e kryepleqësive të vendit, duke hartuar librin themeltar të kadastrës deskriptive, origjinalet e së cilave gjendeshin në arkivin e përgjithshëm të Institutit të Kadastrës në Stamboll (Defterhane). Pas këtij regjistrimi, zyrat filluan detyrën bazuar në këto veprime:
-Të thjeshta kadastrore
-Noteriale
-Hipotekare
Pohimi i kontraktuesve bëhej para nëpunësit kadastral në prani të një komisioni të përbërë prej: kryetarit të administratës, drejtorit të financave, nëpunësit të kadastrës, anëtarëve të këshillit administrativ. Librat themeltarë i vlenin financës për të vjelë taksën shtetërore. Në sistemin e kadastrës deskriptove ka pasur shumë të meta që lidheshin me njësinë e matjes, mosorientimin e pronës sipas orientimit topografik dhe vlerat e pasakta të pronave, gjë që i kishin lënë vend abuzimeve. Në Stamboll u krijua Instituti i Regjistrave Themeltarë të Kadastrës (Deftehanei Amire), duke pasur organe varësie në çdo qendër vilajeti dhe në prefektura (quheshin sanxhakë) e nënprefektura (quheshin kaza) nga një zyrë. Këto vareshin nga instituti në fjalë dhe nga Ministria e Financave. Instituti mbështetej në:
-Kodin rural
-Rregulloren e tapive
-Instruksionin në dhënien e tapive
-Ligjin mbi pasuritë e patundshme
Gjatë kohës së Shqipëria bënte pjesë në Perandorinë Osmane, ekzistonin 4 zyra provinciale pranë qendrave të vilajeteve në Janinë, Manastir, Shkup dhe Shkodër, si dhe zyrat e prefekturave dhe nënprefekturave brenda vilajeteve përkatëse. Pas luftërave ballkanike dhe caktimit të territorit të shtetit të ri shqiptar, ngeli brenda shtetit vetëm zyra e Shkodrës, e cila edhe kjo në gjendje lufte, pati probleme. Selim Zyma konstatonte:
“Librat kadastralë që formohen prej librit themeltar dhe prej librit veprimtar, nga përdorimi i shumtë dhe i keq, nga koha e gjatë që ka kaluar, përgjithshëm janë tepër të vjetër, të shkatërruar, me mungesa fletësh dhe në shumë zyra nuk ekzistojnë fare ose figuron një pjesë e tyre. sidomos në vitet 1912-1920 për shkak të pushtimeve të huaja dhe të mungesës së një administrate të qëndrueshme, shumica e këtyre librave me qëllim ose pa qëllim janë zhdukur, shkatërruar, djegur ose vjedhur. Është për këtë arsye që gjendja e inventarit të pasurive të patundshme në Shqipëri tregon konkluzionin më të komplikuar dhe ekzistenca e saj në një gjendje të tillë shkakton çrregullime të tjera me konsekuencat më të dëmshme për marrëdhëniet ekonomike të vendi. Për shkak të mungesës së librave kadastrorë, si dhe kontestime që lindin duke atakuar tapitë që janë në duar private është bërë e nevojshme nga ana e gjykatave të mbretërisë të kërkohen dokumentet origjinale që ndodhen në Defterhanen e Stambollit”.
Zyma kritikonte zakonin e keq shqiptar të shitblerje pa veprime zyrtare nëpërmjet dokumenteve. Sipas tij librat themeltarë të pasurive të ngelur në vend ishin gjithnjë të çrregullt dhe të dyshimtë. Asnjë prefekturë e Shqipërisë nuk kishte trashëguar të dhëna të plota të librave kadrastralë. Shteti i dobët shqiptar pas vitit 1912 kishte ndërmarrë disa veprime për të ndrequr gjendjen. Deri në vitin 1918, zyrat kadastrale në varësi të Ministrisë së Financave veprimet i kryen në osmanisht e më pas në gjuhën shqiptare. Në vitin 1923 u morën masa për rregullimin e veprimeve të transkriptimit nëpërmjet akteve noteriale. Ligji osman u zbatua deri në vitin 1929, kohë kur hyri në fuqi Kodi Civil. Zyrat kadastrale u shkrinë dhe ua kaluan dokumentacionin zyrave hipotekore në varësi të Ministrisë së Financave. Por prej vitit 1924 kjo varësi kaloi te Ministria e Drejtësisë. Zyma vërente si problemet juridiksionin e këtyre zyrave, buxhetin për ta, çka sillte veprime midis zyrave të prefekturave dhe gjykatave. Zyrat hipotekore sipas tij nuk mund të zëvendësonin kurrsesi zyrat kadrastrore.
Sipas Kodit Civil, zyrat hipotekore merreshin me këto veprime transkiptimi:
1-Me akte noteriale, transferonin zotërimin.
2-Me akte relative, transferonin ose deklaronin uzufruktin.
3-Me kontratat mbi 9-vjeçare të qiradhënies së pronave.
4-Me kontratat që kanë për objekt gëzim pronash dhe që kalojnë 9 vjet ose që janë të pacaktuara.
5-Me akte relative që shkarkohet ose cedohet qiraja për një kohë më tepër se 3 vjet, etj.
***
Gjendja e pasurisë në Shqipëri, sikurse në kohën e Perandorisë Osmane, ishte kjo:
1-Pasuritë shtetërore
2-Pasuritë private (mylq)
3-Pasuritë e vakëfeve (vakf)
Deri në vitin 1912 pasuritë shtetërore ishin rregullisht të regjistruara, por më pas filluan problemet e shumta. Por edhe regjistrat private kishin pësuar dëme me zhdukje, djegie e falsifikime. Zyma konstatonte me keqardhje se prej Ministrisë së Financave nuk ishte bërë asnjë përpjekje për delimitimin e kufijve, hartimin e skicave, fiksimet e konfigurimit të kufijve, etj. Dokumentet në arkivin e kësaj ministrie vlerësoheshin me mjaft të meta.
Për të dalë nga gjendja, inxhinier Zyma rekomandonte:
1-Prokurimi i dokumenteve kadastrorë pranë Defterhanes së Stambollit
2-Në bazë të një ligji të studiuar mirë duhej regjistruar e gjithë pasuria e patundshme.
3-Realizimi i delimitimit të kufijve të tokës sipas rregullave teknikë kadastralë.
4-nisur nga zhvillimet e ndryshme në kadrastrën turke dhe gjendjes së kadastrës italiane, të projektohej organizimi i kadastrës së re të Shqipërisë:
a-Prokurimi i gjithë dokumenteve teknike që i përkasin triangulacionit gjeodetik të Shqipërisë, të cilat ndodhen pranë Institutit Gjeografik të Firences.
b-Organizimi e vazhdimi i një kursi teknik për teknikët e kadastrës.
c-Delimitimi i sipërfaqeve që figuronin si këneta dhe hartimin e ligjit përkatës.
d-Zbatimin e kadastrës gjeometrike në tokat shtetërore dhe në vendet më më rëndësi të Shqipërisë dhe zhvillimi i saj në çdo vend të mbretërisë dhe kohë pas kohe anulimi i kadastrës deskriptove.