“Krenar që Shkurta ime i fali jetën popullit e partisë”

Tuesday, 15 December 2020 14:43
Pal Vata dhe Enver Hoxha në takimin e tyre të parë në vitin 1968, si dhe portreti i vizatuar i Shkurtës.  Pal Vata dhe Enver Hoxha në takimin e tyre të parë në vitin 1968, si dhe portreti i vizatuar i Shkurtës.

Nga Kastriot Dervishi

Shkurte Pal Vata (1952-1967) nga Peci i Dukagjinit, ishte vullnetare në hekurudhë kur më 20.10.1967 e mbuloi një sasi dheu në sektorin e Dushkut të Lushnjës dhe vdiq më 2.11.1967 në spital. Me vendimin e jashtëzakonshëm (qarkullues) nr.155, datë 15.11.1967 Komiteti Qendror e pranoi pas vdekjes anëtare partie Shkurtën. Dokumentet u trajtuan njësoj si ato të shokëve të vrarë në luftë. Harrohej fakti se me vendimin nr.15, datë 20.1.1967, udhëzohej se pranimet në parti ishin individuale, pasi ishte mbushur mosha 18 vjeç. Për pranimet deri në 20 vjeç, kandidati më parë duhej të bënte jetën e organizatës së rinisë. Bënin përjashtime ushtarët dhe punëtorët. U sajua një portret revolucionar e vështrim heroik i Shkurtës (nuk kishte fotografi të saj) dhe iu përcoll mjeteve të propagandës si heroinë e rrallë. Situatën tragjikomike iu shtua një letëkëmbim lejfenist midis Pal Vatës dhe Enver Hoxhës, i cili hapte edhe librin “Në shekuj do të përjetësohen emrat e bijave dhe bijve të këtij trualli”, Tiranë 1968. Letrat e Pal Vatës dhe Enver Hoxhës janë botuar në gazetat e përditshme të Tiranës, në një ditë, më 10.11.1967. Pretendohej se letra e Palit ish shkruar një javë më parë. Letra e Palit përmban elementë dialektorë, për ta bërë të besueshëm para popullit sikur vërtet e kish shkruar ai.

***

Letra e Pal Vatës (pjesë), për Enver Hoxhën, datë 3.11.1967

I dashuni shoku Enver! Ju shkruen nji zemër malësori, nji zemër që sot ma tepër se kurrë rreth fort për partinë e dashtun dhe për ty shoku Enver, nji zemër që ju uron sot ma tepër se kurrë: Të na rroni sa malet e nalta, për të mirën e popullit, për lumturinë e këtij vendi...

I dashuni prijësi ynë i shtrenjtë! Pardje, nji grup vullnetarësh të hekurudhës dhe shokë të partisë e të pushtetit në rreth, më sollën në shtëpi me nderime të mëdha, trupin e vdekun të vajzës sime. Ra si burrneshat, si i ka hije nji çike malësore, atje në trasenë e hekurudhës.

U nis nga Dukagjini e veshun me rrobën malësore. U kthye në shtëpi me rrobat fisnike të vullnetares së hekurudhës. U nis nga fshati e drojtun, por u kthye me shenjin e sulmueses që i shndrisnin në gjoks, e mbuluese me kunora lavdije dhe mue m’u duk ma e rritin, ma e pjekun, ma burrneshë. Prandaj nuk qava, as unë, as grueja ime, as fëmijt e mij vegjël. Sepse...trimat nuk qahen, por këndohen shoku Enver. Unë isha krenar që Shkurta ime i fali jetën popullit e partisë, sepse ajo nuk vdiq, por do të jetojë së bashku me hekurudhën, së bashku me partinë tonë të dashtun.

Shoku Enver. Mbramë bamë përsëri kuvend në shtëpinë time. Ishte aty edhe Shkurta. Dhe ne vendosëm ta vazhdojmë rrugën e saj. Vendi i saj në hekurudhë asht bosh. Për ta plotësue atë, po nisemi unë, Pal Vata, baba i saj dhe Katrinë Vata, kushrina e saj e parë. Më fal shoku Enver, që djemt i kam shumë të vegjël dhe nuk mund të vijnë së bashku me mue. Por kur të rriten, të jeni të sigurtë se ashtu si Shkurta, do të jenë të parët që t’i përgjigjen thirrjes së partisë, kudo e kurdo.

Të paçim për jetë udhëheqës ynë i dashtun!

***

Letra e Enver Hoxhës për Pal Vatën (pjesë),  datë 9.11.1967

I dashur shoku Pal! Në këto ditë të mëdha hovi revolucionar që po kalon vendi ynë për ndërtimin e jetës së re socialiste, vargut të madh të mijëra dëshmorëve të lavdishëm të luftës dhe të punës, iu shtua edhe emri i bijës suaj Shkurta, malësores, revolucionares, anëtares së organizatës së BRPSH, bijës së paharruar të popullit tonë...

Ju më njoftuat në letër, i nderuar Pal, se çikën nuk e qatë, pse ashtu siç i ka hije shqiptarit, trimëreshat nuk qahen dhe së bashku me mbesën vendosët dhe shkuat në hekurudhë në vend të saj për ta zëvendësuar. Ky është një tjetër shembull patriotizmi të lartë që jepni ju...

Modifikuar më Tuesday, 15 December 2020 14:50
Login to post comments