Nga Kastriot Dervishi
Dokumenti bashkëlidhur është një shkresë e Ministrisë së Financave, nënshkruar nga zëvendësisht ministri Luigj Gurakuqi. Shkresa mban datën 20.11.1913. vlera e parë e saj është modeli i vulës së ministrisë në fjalë, që tregon modelimin e përgjithshëm të vulave në këtë kohë për të cilën kemi fare pak dokumente. Së dyti, tregon se veshjet e para për armën e xhandarmërisë janë bërë në Torino, në një firmë që ka ekzistuar deri në vitin 1977. Shoqëria “Bauchiero”. Personat e përmendur në këtë udhëtim për të biseduar apo lidhur kontratat janë Anton Dukagjini dhe Adem Isa Boletini. Të dy ishin të rinj, i parë 18 vjeç dhe i dyti 17 vjeç. Antoni punoi shumë vite në Ministrinë e Punëve Botore, si specialit e drejtor dhe u dënua me grupin e Koalicionit Demokrat në vitin 1946. Vuajti gati 14 vjet burgim. Pas lirimit nga burgu u internua në Savër të Lushnjës. Vdiq në vitin 1967 në spitalin e Beratit.
Ademi u vra me atentat nga komunistët në Shkodër në nëntor 1943. Çuditësisht në historikët e tyre publikë të mbushur me pusi e prita, për këtë ngjarje nuk u dhanë kurrë informacionin e duhur.