I shtrenjti shoku Manush

Premte, 18 December 2020 13:02

Nga Kastriot Dervishi

I shtrenjti shoku Manush

Në nenin 63 të ligjit nr.9154, datë 6.11.2003 “Për arkivat”, përcaktohet se “arkivat mbrojnë jetën intime të personit”, kur hasen “të dhëna me karakter vetjak”. Ligji e lë në dorë të arkivistit të bëjë vlerësimin e ndalesës 50-150 vjet nga data e krijimit të dokumentit. Koncepti i “të dhënës vetjake” nuk është i njëjtë me atë të informacionit të klasifikuar sekret shtetërore dhe krejt pa lidhje me njëra-tjetrën. Kodi Deontologjik Ndërkombëtar i Arkivistëve në nenin 7 të tij u kërkon atyre të gjejnë “ekuilibrin e duhur” midis të drejtës për informim dhe respektimit të jetës private, jo nëpërmjet shkatërrimit, por të “fshirjes” në shfrytëzim. Censurimi i emrave nuk ndahet me kategori dosjesh, po niset nga përmendja e emrit. Pozicioni zyrtar, përmendja rastësore në një dokument, etj, nuk janë arsye për censurim emrash. Unë vetë kam censuruar në publikime emra njerëzish të thjeshtë kur më është dashur të shpjegoj p.sh. raste imoraliteti. Ky censurim bëhet me synimin për të mos ndezur sherre dhe për t’i lënë të qetë njerëzit e thjeshtë në jetën e tyre, sepse merrem me dukurinë e jo me individin.
Tani së fundmi, shokët e Autoritetit të “hapjes së dosjeve”, por edhe vullnetarë të çështjeve të varrologjisë, në kuadër të prodhimit të një “udhëzuesi”, pasuruan me diletantizëm fjalorin e gjuhës shqipe me fjalën “anonimizim”. Gjuhësisht mjaftonte fjala “fshirje”, por u desh mbështetja e shokëve të OSBE-së dhe ambasadës gjermane për t’i dhënë dum kësaj pune. Le të shohim praktikën si është vepruar deri sot. Në përgjigjet e deritanishme dhënë të interesuarve, shokët e Autoritetit, kanë përdorur teknikën “anonimizuese” gjerësisht në raste kur nuk ka pasur fare parashikime të ligjeve 9154 dhe 9887. Një rast i tillë iu paraqitet bashkëlidhur i vitit 1976, kur në një dhënie përgjigje është fshirë një fakt botërisht i njohur, emri i sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së Punës së Rrethit Tiranë, shokut Manush Myftiu, a thua se ishte zor i madh për ta gjetur këtë, apo vetë Manushi po e mbante të fshehtë.

Login to post comments