Lamtumira e inxhinierit të talentuar Hysni Laçi

Saturday, 09 Janar 2021 18:47

Nga Saimir Shatku    

Nuk është aspak e  thjeshtë për të shkruar këto fjalë homazh  për njeriun e dashur të familjes, të shoqërisë si dhe kolegun për disa të tjerë, për  Hysni Laçin, inxhinierin e talentuar, fjalëmbël dhe  punëplot, i cili u nda nga jeta, para disa ditësh. Të gjithë e thërrisnin Inxhinier Hysniun, me emrin përkëdhelës Niu, pasi që në fëmijëri por dhe në maturë dhe derisa jetoi nuk e ndryshoj karakterin e tij emocional, mëndje hapur në favor të zhvillimin dhe zgjidhjes së problematikave jo vetëm familjare por dhe shumë më të gjëra. Niu ynë i dashur ishte fëmija i 5-të, i cili u lind në Tiranë më 25 gusht të 1955 në gjirin e një familjeje e ardhur në fillim të shekullit XX nga Dibra e madhe dhe e vendosur në Tiranë, pranë Medresesë. Hysni Laçi u rrit në një mjedis, ku u edukua nga dy prindër të mrekullueshëm dhe mjaft punëtor nga babai i tij Xhehat dhe nana Lemanka, si dhe nga vëllai i madh Agroni dhe tre motrat e tij. Prindërit u kujdesën që të pestë fëmijët të edukohen dhe të përgatiten e të jenë që të gjithë me arsim të lartë. Shembull për familjen, shoqërinë dhe farefisin e tyre. Hysniu, pasi mbaroj shkollën e mesme në gjimnazin e Tiranës, u regjistrua në universitet dhe më vitin 1979 u diplomua si Inxhinier elektrik, në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike të Universitetit Politeknik të Tiranës me rezultate të larta. Miqtë dhe shokët e kursit në fakultetin elektrik  por dhe të jetës e përkufizojnë Hysniun si njeri me inteligjencë të sprovuar, praktik me jetën dhe dinamik me punën dhe profesionin e tij të zgjedhur tashmë. Do të ishin këto rezultate universitare dhe të një pune sistematike të cilat do të ndriçonin rrugëtimin e Hysni Laçit në jetën e tij si Inxhinier Elektrik. Në fillim u emërua si Inxhinier elektrik në Institutin Metalurgjik të Elbasanit, ku aty punoj nga viti 1979-1983. Puna në Institut i krijoj mundësinë e parë të njihte nga afër proceset e punës praktike por dhe të merrte njohuri më të avancuara nga Inxhinierët më me përvojë ku Niu punoj për 4 vjet në këtë Institut. Gjatë viteve 1983-1993 do ta gjejmë Inxhinier Hysni Laçin si Inxhinier elektrik pranë Institutit të Studimeve dhe Projektimeve  mekanike në Tiranë ku udhëhoqi punën projektuese elektrike e atë mekanike për 10 vite rresht. Ndryshimet pluraliste e demokratike të vendit tone do ta gjenin Inxhinierin Hysni Laçin në moshën 38 vjeçare si një profesionist me diapazon të vrullshëm dhe tepër  energjik për të zhvilluar vepra më të rëndësishme për shoqërinë tonë, e cila hyri në një faze të re të menduarit dhe perceptuarit të zhvillimeve shkencore dhe bashkëkohore të problematikave në fushën e energjisë, të elektricitetit dhe politikave e programeve të reja energjetike. Nga viti 1993 e deri më 1998 Inxhinier Hysni Laçi do të ishte drejtor drejtorie në ministrinë e Energjisë, një stad tjetër për profesionin e tij si Inxhinier. Në kujtimet e tij kjo periudhë do të mbahet mend nga Hysniu por dhe nga kolegët e tij të ministrisë e më pas të agjencisë energjetike, si periudha më e vështira por dhe më e bukura, pasi bashkë me vështirësitë lindin sfidat, debatet por dhe zgjidhja e problematikave të kësaj fushe, thoshte Inxhinier Niu. Gjithashtu ai i shoqëruar nga kolegët e tij inxhinier pati mundësinë e mire që përvojën e arritur në seminare, konferenca e kongrese, mbi energjinë elektrike dhe energjinë derivatike,  brenda dhe jashtë vendit ta vë në zbatim së bashku me kolegë e bashkëpunëtorë të tij, për një  departamentesh e sektorë  të energjetike shqiptare. Më pas Hysni Laçin e gjejmë përsëri në pozicion drejtuesi pranë Agjencisë Kombëtare të Energjisë nga viti 1998 deri më 2006. Përvoja, komunikimi dhe bashkërendimi  i punës do ta emëronin Hysniun si kryetar i kësaj agjencie energjetike deri në fundin e vitin 2007. Pas vitin 2007 Hysni Laçi do të thirret për të referuar në disa fakultete të Inxhinierisë si pedagog i jashtëm dhe ekspert koordinues në një sere punimesh e ciklesh shkencore pranë Universitetit të Tiranës, Prishtinës dhe të Tetovës. Në profesion të lirë si inxhinier, pas vitin 2007, Hysni Laçi do të kontribuonte në mjaft projekte energjetike, studime shkencore e preventive energjetike dhe elektrike për disa rrethe të Shqipërisë, në Kosovë, Maqedoni dhe në Malin e Zi. Hysni Laçi, jo vetëm si familjar, prind, koleg dhe profesionist shumë i zoti, dinte t’i koordinonte raportet e jetës dhe të punës me dashamirësi, ku pesha kryesore e tij ishte emocioni, mendimi, dhe aftësia për të kontribuar me të gjitha çka kishte për të tjerët, por dhe të mendonte për shokun, kolegun, e gjithashtu për të afërmin. Familjarët, bashkëshortja Rita dhe dy fëmijët,  me largimin e tij më 5 janar të 2021 humbën jo vetëm njeriun e tyre të zemrës, por dhe shtyllën kryesore të familjes. Kolegët inxhinier por dhe shoqëria, humbën jo vetëm njeriun e buzëqeshur e mendjendritur,  i cili nuk prishi fjalë dhe nuk mbajti hatërmbetje me askënd, por dhe njeriun e aftë e të punës e profesionit. Hysni Laçi, ishte dhe mbeti një vëlla i drejtë,  një shok i mirë, shembulli i njeriut me energji pozitivie, i cili ndjek fatin e heroit të lashtësisë, i cili vdes porsa arrin i pari maratonën, e në të vërtetë Hysniu ja arriti i pari maratonën e përjetësisë.

Login to post comments