Shtetëzimi i “Internacionalit”, “pronarët nuk dëmtohen se kanë pasuri”, janë “agallarë”

E mërkurë, 13 Janar 2021 13:23

Nga Kastriot Dervishi

Para se të ndërtohej hotel “Dajti”, “Internacional” ishte hoteli më i mirë në Tiranë. I ndodhur në qendër të Tiranës (pas ish Lidhjes së Shkrimtarëve), fare afër ministrive dhe bashkisë, ai ishte vend i frekuentuar nga vendas e të huaj. Mirëpo, pushteti “popullor” nuk duronte kështu. Më 10.4.1947 ministri i Mbrojtjes Kombëtare Enver Hoxha, i drejtohet me shkresë kryeministrit Enver Hoxha, duke kërkuar për llogari të Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare shtetëzimin pa shpërblim të ndërtesës, mobileve e të gjithë aksesorëve, veglave të kuzhinës dhe mencës. Godina ishte në pronësi të zotërinjve  Ismet Çano, Gani Çano dhe Sabit Çaushi nga Libohova. Në relacionin dërguar Presidiumit të Kuvendit Popullor nga Këshilli i Ministrave, përmenden argumentet e Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare:

“1-Pronarët e kësaj ndërtese...nuk dëmtohen nga ky shtetëzim pse kanë edhe tjetër pasuri të paluajtshme.

2-Pronarët e parë, vëllezërit Ismet e Gani Çano, janë persona të klasës agallarë Libohovë-Gjirokastër. Pasurinë e tyre e kanë vënë si fajdexhinj të dalluar. E kaluara e tyre politike është e keqe, njërit i është vrarë djali si eksponent i Rinisë Balliste (Besnik Çano, torturuar vrarë me urdhër të emisarëve jugosllavë Miladin Popoviç e Dushan Mugosha-shënim), ndjehen të prekur nga reformat dhe sistemin popullor nuk e shikojnë me sy të mirë, këta dhe të dy bashkë me rrethin e tyre.

Për sa i përket pjesëtarit tjetër, Sabit Çaushit, ky ka mbajtur qëndrim të mirë si në të kaluarën dhe tash, por edhe ky është në gjendje të mirë ekonomike, prandaj pjesa e tij do të shtetëzohet pa shpërblim”.

Pas këtij relacioni të shkurtër, Këshilli i Ministrave mori vendimin nr.83, datë 11.3.1948 dhe ia kaloi si propozim Presidiumit të Kuvendit Popullor, i cili nxori dekretin nr.610, datë 28.4.1948. si në rastin e vendimit të Këshillit të Ministrave, edhe te ky rast, mungonte baza ligjore. E vetmja ishte neni 4/10, i ligjit nr.363, datë 26.11.1946 “Mbi Presidiumin e Kuvendit Popullor”, në të cilin thuhej se Presidiumi i Kuvendit Popullor nxirrte dekrete “për çështje të ngutshme”, të cilat i paraqiteshin më vonë Kuvendit Popullor. Hoteli do përdorej si mencë për oficerët e garnizonit të Tiranës.

Modifikuar më E mërkurë, 13 Janar 2021 15:34
Login to post comments