Nga Kastriot Dervishi
Tika (Petrika) Dhimitër Tezha, lindur në Korçë në vitin 1917 e banues në Tiranë, u arrestua më 15.8.1946, në valën e madhe të arrestimeve ndaj elementëve të konsideruar si proamerikane. Mjaftonte vetëm një takim me misionet anglo-amerikane në vitet 1945-1946 për të qenë i dyshuar. U akuzua në batë të neneve 3/10, 8 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946 dhe nenit 3/5 të ligjit nr.373, datë 12.12.1946, “për fajin e veprimit kundër pushtetit popullor”, “bashkëpunim me anglo-amerikanët” dhe për zhvillimin e tregtisë së ndaluar të arit. Tika pranonte të ishte takuar me anëtarë të misioneve, por kurrsesi të ishte marrë me çështje informacioni me ata. Fakti që hetimi dhe gjykimi ishin mbi bazë hipotezash, e tregon paragrafi i mëposhtëm:
“Qysh me çlirimin e Shqipërisë nga okupatori dhe tradhtarët e vendit, ka krijuar miqësi të ngushtë me misionet anglo-amerikane dhe e ka vazhduar deri në fund. Kjo miqësi e krijuar pa mos patur asnjë arsye të justifikuar, formon indicie të fortë se ka kryer fajin e spiunazhit”. Akuza e “mbështeste” këtë në “dëshminë” e një të pushkatuareje.
Theksohej miqësia me Thoma Stefanin, ndërsa përmendej fakti se ishte shprehur se po ta dinte se do shkonin kështu punët, udhëheqësit komunistë do t’i kishte dorëzuar gjatë luftës (ishin strehuar te ai). Gjykata Ushtarake Tiranë, me vendimin nr.217, datë 28.1.1948, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 5 vjet burgim, punë të detyruar, konfiskimin e veglave automobilistike, një makinë shkrimi dhe gjithë pasurinë që kishte. U la në fuqi me vendimin 19, datë 5.4.1949 të Gjykatës së Lartë Ushtarake. U lirua më 15.8.1951 dhe u internua në Kavajë së bashkë me bashkëshorten Merita Sokoli.