Gjithë ngjarjet e luftës të promovuara nga regjimi komunist, janë të diskutueshme në lidhje me saktësinë e tyre. Për arsyen e vetme se më shumë janë parë për t’i shërbyer indoktrinimit nëpërmjet falsifikimit në kuadër të “agjitacionit monumental”. Sabaudin Gabrani (1923-1943), nga Libohova është nderuar gjithandej duke ia vënë emrin në rrugë e shkolla. Dhjetëra albanologë e figura të larta shtetbërëse, nuk janë nderuar aq sa S.Gabrani. Për këtë arsye, kushdo ka të drejtë të pyesë se çfarë detyrimi paska Shqipëria kaq shumë për këto emra. I drejtohemi provave historike. Nuk gjejmë shkaqe që të përligjin që nder kaq të madh, përveçse ndonjë rrëmbimi shaptilografi, djegies së centralëve dhe rrëmbimit të minorenëve.
Gabrani ishte një prej rrëmbyesit e vajzës 12-vjeçare të shefit të Policisë së Tiranës, Bale Kukaleshi. Thuhet se në shkurt 1942 së bashku me Shyqyri Ishmin, Xhoxhi Martinin e Skënder Çaçin, dogji centralin telefonik të Tiranës. Ishte në krah të Vojo Kushit kur ky shkatërroi projektorët e aeroportit të Tiranës.
Në librin me dokumente të vitit 1986 të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, nuk ka asnjë informacion për Gabranin. Edhe botimi i brendshëm i kësaj drejtorie po ashtu nuk ka asgjë.
Në godinën e sotme të Bashkisë së Tiranës, qëndron një pllakë për një aksion, në të cilën thuhet: “Më 20.2.1942 në aksionin e drejtuar nga dëshmori Sabaudin Gabrani u morën nga Ministria e Ekonomisë Kombëtare disa makina shaptilografike, shaptilografë e materiale të tjera”.
Mirëpo kjo ngjarje, nuk thuhet njësoj. Në librin “Yje të pashuar”, Tiranë 1971, volumi i parë, faqe 142-144 është përpiluar një profil për Sabaudin Gabranin. Për aksionin thuhet se është kryer në Ministrinë e Kulturës Popullore. Mirëpo kjo ministri ka qenë përballë asaj të sotmes së bashkisë. Dhe fjala paska qenë për një shaptilograf të madh e jo për disa të vegjël. Ja teksti: “Ishte pasdreke e një të diele. Aksioni do të kryhje ditën, kur në rrugë kishte lëvizje të madhe. Shaptilografi që peshonte rëndë, duhej të ngarkohej në makinë. Pasi njësiti hyri në lokalet e ministrisë dhe lidhi rojën, u pa se shaptilografi nuk mund të ngarkohej pa rënë në sy. Atëherë Sabaudini propozoi që ta ngarkonin pa u ruajtur nga kalimtarët. Kështu armiku nuk do dyshonte dhe do të vihej në gjumë. Por një veprim i tillë do të thoshte të rrezikoheshin aksioni dhe puna e shokëve. Në këto çaste vendimtare Sabaudini tha: ‘Në qoftë se do të na zbulojnë, aq më keq për fashistët. Ne do ta kthejmë ministrinë e tyre të Kulturës në një kala komuniste’. kështu shaptilografi u ngarkua sheshit me makinë. Aksioni u krye me sukses të plotë”.
Tani problemi i parë është se ku ka ndodhur ky “aksioni” se janë dy godina të ndryshme. Është një shaptilograf i madh apo disa të vegjël.
Problemi i dytë është dokumentimi i vrasjes së Sabaudinit. Libri “Yje të pashuar” na thotë se në mars 1943 Sabaudini është arrestuar “në mënyrë tepër sekrete” në rrugën Tiranë-Elbasan dhe lihet të kuptohet se ka vdekur nga torturat, por gjithçka lihet e paqartë.