Nga Kastriot Dervishi
Në përvjetorin e 90 të lindjes, kujtoj Kostaq Xoxën, të ndarë nga jeta vetëm pak muaj më parë, mësues, publicist dhe redaktor, njeriu që na bëri të njohur historinë tragjike të jetës së vet nëpërmjet tregimit “Internimi i kufomës”, botuar si shkrim në vitin 2006. Kostaqi fliste dhe shkruante shumë mirë gjuhët frëngjisht dhe italisht. Ishte redaktor në shumë libra dhe shumë merakli për pastërtinë e gjuhës shqipe, aq sa po të merrte në dorë një libër e mbushte gjithë shënime për gabimet që gjente aty. Pavarësisht se nuk kish dëshirë të fliste për veten, ma mundësoi plotësimin e të dhënave të jetës së tij. Kostaqi ishte njeri i lexuar, i rrallë, që na mungon të gjithëve.
Skeda e jetës:
1931, 24 janar, u lind në Tiranë.
1938 – 1942, nxënës në shkolla fillore Tiranë.
1942 – 1948, nxënës në liceun e Tiranës.
1949, përjashtuar nga shkolla për arsye politike.
1950 – 1952, ushtar në Gërhot, Gjirokastër.
1952 – 1957, shofer në parkun e kamionëve Tiranë.
1954, mbaron gjimnazin natën.
1957 – 1961, ndjek Universitetin e Tiranës, dega inxhinieri elektrike shndërruar në gjeologjike, pa shkëputje nga puna.
1957 – 1964, mësues i matematikës në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” në Tiranë.
1965 – 1986, mësues i matematikës në gjimnazin “Partizani” në Tiranë.
1986, doli në pension.
1991 – 1997, gazetar dhe kryeredaktor (1996 – 1997) në gazetën “Liria”, organ i shoqatës të ish të burgosurve dhe përndjekurve politikë.
1998 – 2016, publicist në gazetën “55”.
2020, 25 gusht, vdes në Tiranë pas një sulmi në zemër.