Ministri i Brendshëm francez, Gérard Collomb tha sot se Italia është e detyruar të punojë në kuadër të bashkëpunimit europian për çështjet e emigracionit.
Ndërsa qeveria e re italiane kërkon të imponojë parimin e shpërndarjes automatike të emigrantëve.
“Aktualisht në të gjithë Europën po vërehet një rritje e populizmit si në Itali, Slloveni apo në disa shtete, të cilat ndoshta nuk janë ballafaquar në kohë me problemin e emigracionit dhe bien në politika që ne na duken të ekzagjeruara”, deklaroi ministri francez në Asamblenë Kombëtare.
Në fushën e emigracionit ne mbështetemi në bashkëpunimin europian, ndërkombëtar, dhe në këtë kuadër po punojmë me vendet e origjinës, për uljen e numrit të emigrantëve të cilët hyjnë në mënyrë të jashtëligjshme në kufijtë e Europës.
“Nesër, Italia do të jetë e detyruar të punojë në këtë sistem”, vlerësoi ministri, duke sjellë në kujtesë planin e paraqitur nga Komisioni Europian për rritjen e numrit të efektivëve të “Frontex”, agjencia europiane e kufijve, deri në 10 000 persona në vitet e ardhshme.