Raportet e tremujorit të dytë për 3 nga bankat më të mëdha në SHBA, treguan se sektori po përfiton nga ndryshimet e politikave në Washington që kanë ulur taksat, rritur normat e interesit dhe lejuar institucionet që të riblejnë më shumë aksione. Investitorët ishin skeptikë pasi prisnin një ndikim nga konfliktet ndërkombëtare mbi tregtinë.
Sipas treguesit S&P Banks Index, aksionet e bankave të mëdha u rritën me gati 1%, pas raportimit të JPMorgan, Citi dhe Wells Fargo. Wells Fargo ishte e vetmja bankë që dështoi të arrijë projeksionet e Wall Street. Huadhënësi u limitua nga kostot e lidhura me akuzat ligjore dhe rënia e kredive hipotekore. Citi pati rritje të kredisë, por kjo erdhi nga korporatat e mëdha dhe nga klientët e bankingut privat në Azi, duke mos reflektuar ndonjë ndryshim në ekonominë amerikane. JPMorgan, banka më e madhe matur nga aktivet, kishte rezultatin më të fortë, ndërkohë që fitimi u rrit me 18% prej të ardhurave të mëdha të tregtimit dhe kredisë. Megjithatë, kreu ekzekutiv Jamie Dimon, paralajmëroi se klientët janë shqetësuar mbi tregtinë globale.
Konfliktet tregtare, veçanërisht me Kinën, kanë rritur ndjeshëm pasiguritë. Edhe ekzekutivi i Citi pranoi se klientët kanë ndjerë konfliktet tregtare, por deri më tani, nuk kanë ndikuar ndjeshëm në mënyrën se si kryejnë transaksionet. JPMorgan dhe Citi përfituan nga tregtimi i fortë i titujve të kapitalit gjatë tremujorit, me të ardhurat nga sektori që u rritën me 24% dhe 19% në mënyrë respektive.