Tre persona kanë vdekur në një aksident tragjik rrugor që ka përfshirë dy makina në Itali. Ngjarja ka ndodhur në autostradën A1 Milano-Napoli, pranë Cassino-s, në provincën e Frosinones. Në vendngjarje kanë ndërhyrë patrullat e Policisë Rrugore, zjarrfikësit dhe mjekët.
Është mbyllur përkohësisht segmenti rrugor mes Cepranos dhe Pontecorvos, me drejtim në Napoli. Ndërkohë që janë krijuar radhë të gjata kilometrike në trafik. Sipas mediave italiane, viktimat janë një çift dhe vajza e tyre e sapo lindur.
Një familje e shkatërruar, bashkëshorti, bashkëshortja dhe vajza e tyre vetëm 6 muaj, po udhëtonin drejt Kalabrisë për pushime në bordin e një makine “Fiat Punto”. Makina e tyre fillimisht është përplasur me një tjetër automjet dhe pastaj ka goditur trafikndarësen e betonit. Aksidenti ka ndodhur pak para orës 13:00 të ditës së sotme. Në vendngjarje ka mbërritur edhe një helikopter-ambulancë, por për viktimat nuk kishte më se çfarë të bëhej.