Është hapur me një shtrëngim duarsh që zgjati rreth 3 sekonda takimi mes dy liderëve, presidentit rus Vladimir Putin dhe atij amerikan Donald Trump në Helsinki. Fillimi ka qenë e vështirë, për të thyer akullin mes dy presidentëve që me sa duket s’dinin nga t’ia fillonin. Por situatën e ka marrë në dorë Trump, si mikpritës që i ka dhënë ‘leje’ Putinit të ulet dhe të marrë fjalën. Trump mbante kravatë të kuqe, ndërsa Putin të zezë.
“Nuk kemi shkuar shumë mirë vitet e fundit, por besoj se do të kemi një raport të mirë në të ardhmen: të shkojmë mirë me Rusinë është një gjë pozitive, jo negative”, ka thënë Trump. Që më pas shtoi: “Bota po na vëzhgon”.
Putin-Trumpit: “Është koha për t’u përballur me pikat e dhimbshme” – Para fillimit të bisedimeve konfidenciale, presidenti rus iu drejtua kolegut të tij amerikan: “Kemi kontakte të vazhdueshme. Kemi folur në telefon disa herë në kuadër të ngjarjeve të ndryshme ndërkombëtare. Dhe sigurisht që ka ardhur koha të flasim në mënyrë thelbësore në lidhje me marrëdhëniet tona dypalëshe dhe çështjet e ndryshme në botë “.
Temat në tryezën e bisedimeve: Tregtia, Kina, raketat dhe bërthamorja – Duke hapur takimin, Trump ka specifikuar që në tryezën e bisedimeve ka “një numër të madh çështjesh për të cilat duhet të diskutojmë. Tema shumë interesante, duke filluar nga tregtia, çështjet ushtarake, raketat dhe armët bërthamore, si dhe çështjet që lidhen me Kinën, mikun e përbashkët, presidentin Xi”. “Është mirë të jesh këtu me ju,” shtoi presidenti amerikan duke iu drejtuar Putinit.