Me provokimet ndaj presidentit amerikan Trump, Rouhani nuk po u përmbahet premtimeve që i bëri popullit iranian në vitin 2013. Përkundrazi, ai duket se po bashkohet me zërat radikalë.
Deklaratat e fundit të presidentit iranian Hassan Rouhani rreth mbylljes së mundshme të Ngushticës së Hormuzit për transportet ndërkombëtare të naftës nuk kanë asnjë gjurmë të përbashkët me premtimet që ai i bëri popullit iranian në vitin 2013. Përkundrazi ato tingëllojnë më shumë si deklaratat luftarake të shprehura shpesh nga paraardhësi i tij, Mahmud Ahmadinexhad.
Në sferën e brendshme, Presidenti Rouhani e ka mbajtur shumicën e premtimeve të fushatës zgjedhore. Por çfarë e bën atë që në nivel ndërkombëtar të imitojë tonin e ashpër të përdorur nga Ahmadinexhadi, pavarësisht kritikave të përsëritura për mënyrat e ish-liderit dhe deklatave të tij që ka si prioritet që t'i zgjidhë mosmarrëveshjet e Iranit me Perëndimin përmes negociatave?
Fjalë drejtuar një audiencë të vogël
Duket se pas ndryshimit të tonit të Rouhanit në politikën e jashtme qëndrojnë shumë faktorë e që e shtyjnë atë t'u drejtohet më tepër udhëheqësit suprem të Iranit Ajatollah Ali Khameneit dhe komandantëve të rojes revolucionare sesa njerëzve që votuan për të.
Së pari, ky ndryshim i politikës mund të lidhet me trazirat e gjera që u përhapën kohët e fundit në të gjitha anët e Iranit. Protestat e gjera lidhen me mungesat e ujit dhe të energjisë, krizën e monedhës, papunësinë dhe korrupsionin e përhapur midis zyrtarëve iranianë.
Së dyti, tërheqja e SHBA nga marrëveshja bërthamore e Iranit dhe ndryshimet në kabinetin e Trump kanë hedhur një hije ndaj zyrtarëve në Uashington, duke shkaktuar frikë për miratim qëndrimesh më të ashpra ndaj Iranit.
Agresioni i fundit i SHBA ndaj Teheranit shkoi madje aq larg sa Trump dhe sekretari i shtetit Mike Pompeo deklaruan në mënyrë eksplicite se po ndihmojnë në organizimin e trazirave të gjera në Iran dhe u kanë premtuar mbështetje të gjithanshme protestuesve. Për më tepër kërcënimi i administratës së Trumpit rrezikon të pengojë eksportet iraniane të naftës duke filluar nga nëntori 2018 - e së bashku me përpjekjet e saj për të vendosur ato që Trump i ka quajtur sanksione "historike" për Iranin dhe presionet në rritje ndaj partnerëve të Iranit për të pakësuar lidhjet tregtare me Teheranin - të kujtojnë vitet e fundit të presidencës së Ahmadinexhadit.
Falënderimi nga lart
Ato që mbeten njëlloj janë qëndrimet e Ali Khameneit, i cili zakonisht refuzon ta mbështesë në mënyrë eksplicite Rouhanin, por që kohët e fundit e ka vlerësuar presidentin lidhur me komentet e tij për mbylljen e Hormuzit. Udhëheqësi suprem i kërkoi ministrit të Jashtëm të merrte një qëndrim të ngjashëm; kreu i trupave elitë të Iranit Quds, Qasem Soleimani, e përgëzoi gjithashtu deklaratën e Rouhanit për Hormuzin.
Duket se nga njëra anë pozicioni i të moderuarve dhe i reformatorëve në mesin e votuesve muajt e fundit është dobësuar. Nga ana tjetër, në vend që të përpiqet ta forcojë atë, Rouhani duket se po përpiqet të ankorojë pozicionin e vet brenda strukturës së pushteteve.
Biznes i rrezikshëm
Dhe ç'mënyrë më të mirë mund të ketë për të focuar pozitën e tij brenda strukturës së pushtetit sesa duke forcuar marrëdhëniet e mira me udhëheqësin dhe përfaqësuesit e linjës së ashpër? Për ta bërë këtë Presidenti Rouhani nuk u është drejtuar vetëm politikave të Ahmadinexhadit, por ka shkuar aq larg sa të përsërisë një koment të bërë nga Sadam Huseini dora vetë: "Çdo konflikt me Iranin është nëna e të gjitha luftrave". Diktatori i dikurshëm irakian e bëri këtë provokim pak para pushtimit të Irakut në vitin 2003 - dhe historia tregoi sa problematike qe kjo.
Ndërsa qasja e re e Rouhanit duket të jetë e përqendruar në qetësimin e përfaqësuesve të linjës së ashpër në vend, pasojat e saj nuk do të kufizohen vetëm në sferën e brendshme, siç tregoi reagimi plot urrejtje i Trumpit. Në fund të fundit kjo do të rrisë dyshimet e partnerëve evropianë që duan ta shpëtojnë marrëveshjen bërthamore me Iranin - dhe do të mbjellë farën e armiqësisë së mëtejshme në një klimë tashmë të tensionuar ndërkombëtare.