Giuliani kundër idesë që presidenti t'u përgjigjet pyetjeve të Prokurorit Special

Tuesday, 31 July 2018 06:59

Avokati i Presidentit Trump tha të hënën se nuk ka gjasa që zoti Trump të pranojë t’u përgjigjet pyetjeve të Prokurorit Special, Robert Mueller lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016 dhe nëse presidenti pengoi drejtësinë në përpjekje për të bllokuar hetimet.

“Nuk ka shumë gjasa, por nuk do të çuditesha nëse ndodh, pasi presidenti do që t’u përgjigjet pyetjeve,” tha Rudy Giuliani, avokat i presidentit, në një intervistë për rrjetin CNN.
Nëse presidenti ulet për intervistë, ai do të pranojë vetëm pyetje nëse fushata e tij bashkëpunoi fshehtazi me Rusinë për të ndihmuar zotin Trump të fitonte zgjedhjet, dhe jo pyetje nëse ka pasur pengim të drejtësisë. Presidenti ka thënë prej muajsh se “nuk ka pasur bashkëpunim të fshehtë” mes ndihmësve të tij dhe Rusisë dhe se ai nuk është përpjekur të bllokojë hetimet e Prokurorit Special Mueller.
Presidenti u hodh të dielën në akuza kundër zotit Mueller dhe procesit që ai po drejton, duke e akuzuar prokurorin se nuk ka bërë të ditur se ka “konflikt interesi” në rolin e tij si prokuror special dhe se “kemi pasur një marrëdhënie shumë të tendosur dhe negativ pune mes nesh”.
Presidenti tha se kishte kundërshtuar emërimin e Robert Muellerit si drejtor i FBI-së një ditë para se zoti Mueller të emërohej nga Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rob Rosenstein në maj 2017 si Prokuror Special për të kryesuar hetimet mbi ndërhyrjet ruse.
Presidenti e quan procesin hetimor “gjueti shtrigash” dhe “një sajesë e paligjshme” që ka punësuar “demokratë të zemëruar” që ishin besnikë të ish-kandidates demokrate, Hillary Clinton.
Rudy Giuliani nuk pranoi të jepte hollësi mbi marrëdhënien e punës që përmend presidenti se ekzistonte mes tij dhe zotit Mueller, duke thënë se është në dorë të Muellerit ta sqarojë, megjithëse kjo temë u përmend nga vetë presidenti përmes një postimi në Twitter.
Zoti Giuliani tha se shqetësimi kryesor i ekipit mbrojtës të presidentit nëse ai pranon t’u përgjigjet pyetjeve të Prokurorit Special, Mueller, është se atij “mund t’i vënë kurth” duke u përpjekur ta kapin dhe ta akuzojnë për dëshmi të rreme nën betim.
Avokati tha se ekipi mbrojtës i presidentit i kishte paraqitur 10 ditë më parë zotit Mueller ofertën për një intervistë me kohë të kufizuar me presidentin, por ende nuk kishte marrë përgjigje. Nëse zoti Mueller nuk është dakord me ofertën, ai mund t’i dërgojë presidentit thirrje ligjore për të dëshmuar, gjë që do të krijonte terrenin për një betejë ligjore që mund të përfundojë në Gjykatën e Lartë lidhur me pyetjen nëse një president mund të detyrohet të dëshmojë gjatë mandatit.
Pritet që zoti Mueller t’u përmbahet udhëzimeve të Departamentit të Drejtësisë për të mos ngritur aktpadi kundër një presidenti gjatë mandatit, por të përgatisë një raport me përfundimet e tij që mund t’i paraqitet Kongresit. Më pas Kongresi mund të vendosë të hapë procesin për shkarkimin e presidentit.
Giuliani tha se mendon që Prokurori Special, Mueller, synon të mbyllë hetimet që kanë vazhduar prej 14 muajsh, në shtator, në mënyrë që përmbyllja të mos shihet si ndikim tek zgjedhjet për Kongres që zhvillohen më 6 nëntor.
Gjatë intervistës për rrjetin CNN, zoti Giuliani kritikoi ashpër Michael Cohenin për regjistrimin e bisedave me klientin e tij, Donald Trumpin, përfshirë bisedën për të paguar një modele të një reviste erotike pak para zgjedhjeve të 2016.
Zoti Giuliani akuzoi Michael Cohen se kishte “mashtruar dhe gënjyer këdo me të cilin ka biseduar”. “Me sa di unë, avokati humbet të drejtën për të ushtruar profesionin për këtë arsye. Nuk mund ta regjistrosh klientin pa lejen e tij. Është absurde,” tha zoti Giuliani.

Login to post comments