Trump, masa kundër ndërhyrjeve në zgjedhje

E Enjte, 13 September 2018 08:38

Presidenti Donald Trump nënshkroi të mërkurën një urdhër ekzekutiv që parashikon sanksione ndëshkuese ndaj të huajve që ndërhyjnë në zgjedhjet amerikane. Vendimi vjen dy vjet pasi Rusia dyshohet se ka ndërhyrë me qëllim fitoren e zotit Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Urdhri hedh bazat për një proces ligjor për të vendosur ndëshkime financiare dhe bllokon, si aktorët që përpiqen të futen në sistemet amerikane të votimit ashtu edhe ata që përhapin informacione të rreme përmes mediave dhe në internet, situata këto që ndodhën në zgjedhjet e vitit 2016.

“Kemi parë shenja jo vetëm nga Rusia, por edhe Kina, potencialisht Irani, madje edhe Koreja e Veriut që po bëjnë përpjekje për të ndërhyrë në prag të zgjedhjeve të 6 nëntorit për Kongresin”, tha Drejtori i Zbulimit Kombëtar Dan Coats, duke njoftuar urdhrin ekzekutiv.

“Po shohim përpara, duke përdorur atë që ndodhi në vitin 2016 si një sinjal paralajmërues … në mënyrë që kjo të mos ndodhë më”, tha zoti Coats, i cili premtoi monitorim 24 orë në 24, gjatë muajit nëntor.

Zoti Coats dhe drejtuesit e tjerë të zbulimit amerikan kanë thënë që nga fillimi i vitit 2017 se presidenti rus Vladimir Putin kryesoi një përpjekje të bashkërenduar, hakerimi dhe manipulimi të medias sociale me qëllimin për të rritur shanset e zotit Trump në 2016, për të mundur rivalen demokrate Hillary Clinton.

Si masë ndaj ndërhyrjes, administrata në largim e Barak Obamës i vendosi sanksione Moskës dhe dëboi një numër të madh spiunësh rusë.

Por që nga koha kur u bë president, zoti Trump i ka hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur pohimet se ai është ndihmuar nga Moska, duke i quajtur “lajme të rreme” dhe ka shmangur kritikat lidhur me këtë çështje ndaj zoti Putin.

Veprimi më i rëndësishëm që është marrë që nga ajo kohë, kanë qenë aktakuzat e nxjerra nga Robert Mueller, Prokurori i Posaçëm që heton lidhjet e mundshme të me Rusinë.

Gjatë vitit të kaluar, ekipi i zotit Mueller ngriti akuza kundër 12 punonjësve të agjencisë sekrete ruse GRU si dhe 13 shtetasve rusë, përfshirë dhe një bashkëpuntor të ngushtë të zotit Putin, të lidhur me një agjenci të kërkimeve në internet me bazë në Shën Petersburg. Kjo e fundit, sipas agjencive amerikane të zbulimi është një burim i rëndësishem i lajmeve të rreme në internet.

Login to post comments