Filipinet kanë nisur të bëjnë bilancin njerëzor dhe ekonomik të tajfunit “Mangkhut”, i cili kaloi përmes ishullit kryesor me pasoja vdekjeprurëse gjatë së shtunës.
Të paktën 25 njerëz rezultojnë të vdekur deri më tani, ndërkohë që rrugët e bllokuara dhe rrëzimi i disa linjave të komunikimit nënkupton se ndikimi real mbi zonat rurale ende nuk dihet saktësisht. Dëme të mëdha në të mbjella duket të jenë shkaktuar në provincën e njohur për prodhimet e agrikulturës, Cagayan.
Stuhia, që u përplas në thuajse 900 km gjatësi me reshje tejet të dendura dhe erëra të furishme, po drejtohet tashmë në rajonet jugore të Kinës. Një rrezik të konsiderueshëm përbën edhe për Hong Kongun, ku banorët janë paralajmëruar të ruajnë vigjilencën.
Në Filipine, tajfuni preku fillimisht tokën në Baggao, në verilindje të ishullit të Luzonit, të shtunën në orën 1:40 me lokalen, e u largua pas rreth 20 orësh. Edhe pse fillimisht u konsiderua si stuhia më e fuqishme për vitin 2018, “Mangkhut” humbi shumë nga forca e tij me të prekur tokën.
Plot 5 milionë njerëz ishin në trajektoren e tij dhe mbi 100 mijë vetë gjetën strehim në disa qendra të përkohshme të sigurta.
Sipas Francis Tolentinos, një zëdhënës presidencial dhe koordinator për reagimin ndaj fatkeqësive, tha se thuajse të gjithë të vdekurit janë shkaktuar si pasojë e rrëshqitjes së dherave në rajonet Cordillera dhe Nueva Vizcaya.
Filipinet goditen vazhdimisht nga tajfunet gjatë sezonit të tyre, por forca e “Mangkhut” solli në kujtesën e të gjithëve stuhinë më vdekjeprurëse për kombin, supertajfunin “Haiyan”, që vrau mbi 7.000 vetë në vitin 2013.