Presidenti Trump kthehet në OKB një vit pas fjalimit për Korenë e Veriut

Saturday, 22 September 2018 20:01

Presidenti Donald Trump shkon të hënën në Kombet e Bashkuara për të marrë pjesë në takimet e përvitshme të udhëheqësve botërorë. Nga luftrat, tek ndryshimet e klimës, tek uria dhe sëmundjet, temat nuk mungojnë në programin e tyre, Por gjasat janë që Presidenti amerikan do të jetë në qendër të vëmendjes, pasi shumë pjesëmarrës duan të dinë se çfarë do të thotë për përparimin në procesin e eliminimit të armëve bërthamore në Korenë e Veriut dhe çështje të tjera të rëndësishme.

Debutimi i Presidentit Trump në Asamblenë e Përgjithshme vitin e kaluar, ishte i bujshëm.

“Shtetet e Bashkuara kanë forcë dhe durim, por nëse janë të detyruara të mbrojnë veten ose aleatët e vet, nuk do të kemi zgjedhje tjetër veçse ta shkatërrojmë plotësisht Korenë e Veriut. ‘Njeriu i raketave’ është në një mision vetëvrasës për veten e tij dhe regjimin e tij”, - tha ai.

Ai i shtangu udhëheqësit që janë mësuar me diplomaci dhe shumë prej tyre presin të shohin se çfarë do të bëjë këtë radhë.

“Ishte një spektakël televiziv, shumë i përshtatshëm për rrjetet televizive amerikane. Zoti Trump nuk ka për qëllim të bëjë për vete udhëheqësit e tjerë botërorë, por të jetë në qendër të vëmendjes me deklarata bombastike, në prag të zgjedhjeve për Kongresin në nëntor. Prandaj do të jetë një fjalim të bujshëm”, - thotë Richard Gowan i Qendrës Universitare të OKB-së për Studime Politikash.

Megjithëse qëndrimi i tij ishte jokonvencional dhe jo pa rrezik, ai në fakt i hapi rrugën dialogut.

Shumë analistë do të ndjekin me kujdes për të parë se çfarë toni do të përdorë zoti Trump për Korenë e Veriut në fjalimin e tij të së martës para Asamblesë. Kim Jong Un nuk do të jetë i pranishëm por gjasat janë që ai do ta ndjekë me kujdes nga Pheniani.

Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo ka ftuar gjithashtu homologun e tij koreano-verior për t’u takuar në Nju Jork. Të enjten, zoti Pompeo do të drejtojë një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ai do të informojë për ecurinë e diskutimeve me Korenë e Veriut dhe do t’u bëjë thirrje vendeve të tjera që të vazhdojnë presionin e sanksioneve deri kur Pheniani të marrë masa konkrete për çnuklearizim.

Shtetet e Bashkuara mbajnë presidencën e radhës të Këshillit të Sigurimit dhe Presidenti Trump do të drejtojë një takim të mërkurën që do të ketë në qendër mospërhapjen bërthamore dhe me siguri për Iranin.

“Irani vazhdon të përbëjë problem. Në çdo pikë të rrezikshme të botës, duket se Irani ka gjurmët e veta”, - thotë Nikki Haley, ambasadore e Shteteve të Bashkuara në OKB.

Presidenti i Iranit do të flasë para Asamblesë së Përgjithshme të martën dhe do të mbajë një konferencë për shtyp vetëm disa orë pas sesionit të Këshillit të Sigurimit, ku do të flasë zoti Trump të mërkurën.

Hassan Rouhani pritet të kritikojë Shtetet e Bashkuara për tërheqjen nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 mbi Iranin dhe për vendimin për rivendosjen e sanksioneve të njëanshme ndaj Teheranit.

Ndërsa shumë udhëheqës botërorë do të jenë të pranishëm në Nju Jork, do të ketë disa përjashtime të dallueshme. Presidenti rus, Vladimir Putin dhe presidenti kinez nuk do të marrin pjesë, ashtu si edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Dhe ndërsa tema e Koresë së Veriut dhe Iranit mund të mbizotërojnë, do të diskutohen edhe çështje urgjente globale përfshirë konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, ngrohja globale dhe zhvillimi./VOA/

Login to post comments