Agjencia kryesore e spiunazhit të Shteteve të Bashkuara po kërkon të zgjerojë praninë e saj në mbarë globin për të eliminuar të ashtu-quajturat "boshlleqe të inteligjencës" dhe për të trajtuar kërcënimin në rritje nga fuqitë e mëdha si Rusia dhe Kina.
Drejtoresha e CIA-s Gina Haspel të hënën e quajti zhvendosjen nga kundërterrorizmi tek spiunazhi më tradicional ndaj shteteve, "një prioritet strategjik", duke thënë se nevoja për të patur një zbulim më të mirë ndaj rivalëve aktualë dhe potencialë të Shteteve të Bashkuara është ndër "çështjet më të vështira" .
"Ne po e përqëndrojmë vëmendjen tek vendet kundërshtare", tha zonja Haspel përpara një audience në Universitetin “Louisville”, në paraqitjen e saj të parë publike, që kur u betua si drejtoreshë e CIA-s majin e kaluar.
Haspel tha gjithashtu se ajo synon "rritjen e numrit të oficerëve të vendosur jashtë vendit".
"Duke pasur një prani më të madhe të huaj do të kemi një pozicion më të fuqishëm," tha ajo.
Si pjesë e kësaj shtyse, zonja Haspel tha se CIA shpreson të rekrutojë më shumë folës të gjuhëve të huaja, përfshirë ata që flasin rrjedhshëm gjuhën kineze, arabe, farsi, turqisht, frëngjisht dhe spanjisht.
Ajo tha gjithashtu se agjencia e spiunazhit "po punon më ngushtë se kurrë me aleatët në të gjithë botën".
Komentet e zonjës Haspel pasqyrojnë përparësitë e paraqitura në strategjinë e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të parashtruar në fund të vitit të kaluar. Strategjia thekson nevojën për t’iu kundërvënë përpjekjeve të rivalëve të Shteteve të Bashkuara për të zhvendosur ekuilibrin e fuqisë në rangun global në forma që kanë ndikuar negativisht Shtetet e Bashkuara.
Shqetësimet për Kinën
Drejtoresha e CIA-s shprehu shqetësime të veçanta lidhur me Kinën, e cila tha ajo, është "duke punuar për të zvogëluar ndikimin e Shteteve të Bashkuara në mënyrë që të avancojë qëllimet e saj". "Ne po e vëzhgojmë shumë nga afër veprime që duket se merren me synimin për të zgjeruar ndikimin e Kinës përtej rajonit të saj, në zona si Afrika, Amerika Latine, ishujt e Paqësorit, dhe Azinë Jugore", tha zonja Haspel."Ne jemi të shqetësuar nga disa prej taktikave që po përdor Pekini, duke u ofruar vendeve të varfra, investimeve dhe kredi që ndoshta ato vende nuk do të jenë në gjendje t’i paguajnë", tha zonja Haspel. "Ne duam që këto vende të jenë të vetëdijshme për kanosjen ndaj sovranitetit të tyre dhe sesi investimet e huaja për projekte infrastrukture apo të sigurisë kombëtare në këto vende mund të venë në rrezik sovranitetin e tyre".
Përparësitë e CIA-s
Zonja Haspel parashtroi edhe disa përparësi të tjera të agjencisë:
Diversiteti: Zonja Haspel tha se kur filloi punë në CIA në fund të viteve 1980, ajo "ishte një organizatë plotësisht e dominuar nga meshkujt".
"Nuk duhet të jetë e habitshme që një nga përparësitë e mia kryesore që kur u bëra drejtoreshë ka qenë të luftoj për diversitet dhe gjithëpërfshirje në organizatë," tha ajo. "Misioni ynë global në CIA kërkon që ne të rekrutojmë dhe të mbajmë më të mirët dhe më të zgjuarit e Amerikës, pavarësisht nga gjinia, raca apo origjina kulturore".
Droga: "CIA do të investojë më shumë në përpjekjet kundër narkotikëve jashtë vendit", tha zonja Haspel, duke e quajtur epideminë e opioideve një kërcënim "që ka vrarë më shumë amerikanë sesa çdo grup terrorist".
Irani: Zonja Haspel e cilësoi si “befasuese” sasinë e fondeve që Teherani vazhdon të shpenzojë për të mbështetur qeverinë e presidentit sirian Bashar al-Assad, për të zgjeruar ndikimin e saj në Bagdad dhe për të mbështetur Houthitë në Jemen, duke pasur parasysh të vështirësitë ekonomike të Iranit.
"Ne jemi duke parë shumë nga afër, aktivitetin keqdashës të Iranit në rajon. Dhe ne do të dëshironim t’i kundërviheshim kësaj veprimtarie, në mënyrë që këto vende të mund të ndërtojnë vetë kursin e tyre ", shtoi ajo.
Transparenca: "Asgjë nuk është më e rëndësishme për ne në CIA sesa detyra jonë për të fituar besimin e qytetarëve tanë," tha zonja Haspel. "Nuk ekziston asnjë agjenci tjetër e madhe e zbulimit në botë që i nënshtrohet një sistemi mbikqyrës më të gjithanshëm sesa ne, por pikërisht kështu duhet të jetë", tha zonja Haspel.
Para konfirmimit të saj si drejtoreshë e CIA-s, zonja Haspel ishte kritikuar ashpër për rolin e saj në mbikëqyrjen e një qendre sekrete për marrjen në pyetje të personave të dyshuar në Tajlandë dhe shkatërrimin e kasetave të seancave të marrjes në pyetje.
Gjendja Morale: "CIA ka një personel shumë dinamik; nga natyra ne jemi jashtëzakonisht të përqëndruar në misionin tonë," tha zonja Haspel. "Në përgjithësi ne nuk u kushtojmë vëmendje përplasjeve politike në kryeqytet".