Shqipëria kërkon një vend në Këshillin e Sigurimit të OKB-ës

Tuesday, 25 September 2018 18:33

Shqipëria synon të zërë një nga vendet si anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombëve të Bashkuara. Këtë e bëri të ditur sot ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati, i cili ndodhet në Nju Jork për hapjen e sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-ës. “Shqipëria vjen me ambicjen e saj në këto punime, pasi po kërkon një vend jo-permanent për në Këshillin e Sigurimit për periudhën 2022-2023 dhe fushata jonë e komunikimit me partnerë e vende të cilat e njohin Shqipërinë apo që dinë pak rreth Shqipërisë sapo ka filluar, me qëllim që të përmbushim këtë objektiv të politikës tonë të jashtme”, tha zoti Bushati në një deklaratë nga Nju Jorku.

Sipas një komunikate të Ministrisë së Jashtme shqiptare “në takimet dypalëshe, ministri Bushati, përveç çështjeve që i përkasin agjendës së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera, do të kërkojë edhe mbështetjen e këtyre vendeve për kandidaturën për vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit”.

Këshilli përbëhet nga 15 anëtarë, nga të cilët 5 janë të përhershëm (Franca, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia) ndërsa 10 të tjerë zgjidhen me një mandat dy vjeçar (5 vende çdo vit).

Login to post comments