Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës zyrtare në SHBA, bashkë me presidentin Hashim Thaçi kanë takuar Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve për Çështje Europiane dhe Euro-aziatike, Wess Mitchell, me të cilin biseduan për aktualitetin politik në Kosovë dhe rajon.
Raportohet se Haradinaj e ka njohur Mitchell me zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe për përkushtimin e Qeverisë së tij për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, për progresin e Kosovës në përmbushjen e reformave të gjithanshme në rrugën eurointegruese dhe euroatlantike dhe për hapat që kanë ndërmarrë institucionet e vendit për të krijuar një klimë të favorshme për të investuar në Kosovë.
“Miqësia dhe partneriteti strategjik me ShBA-të janë të pazëvendësueshme. Kosova është e përkushtuar në rrugën e saj euroatlantike dhe për këtë roli i SHBA-ve, është i rëndësisë së veçantë”, tha kryeministri Haradinaj, duke kërkuar mbështetjen amerikane në procesin e transformimit të FSK-së në ushtri.
Në takim, është biseduar edhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilin kryeministri Haradinaj tha se Kosova është për dialog dhe për përmbylljen e këtij procesi përmes arritjes së një marrëveshjeje ligjërisht obliguese për të dyja vendet dhe me njohje reciproke, shkruan KosovaPress.
Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-ve për Çështje Evropiane dhe Euro-aziatike, Wess Mitchell, tha se Kosova do ta ketë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe më tutje, në forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit, në arsim dhe në rrugën e saj euroatlantike.