Salvini i “vërsulet” BE-së: Po sulmohet ekonomia italiane sepse dikush dëshiron të blejë kompanitë tona nën kosto!

E mërkurë, 24 October 2018 10:38

Vendimi i Komisionit Europian që kundërshtoi buxhetin e propozuar të Italisë ka sjelle reagime të ashpra nga qeveritarët e këtij vendi. Ministri i Brendshëm, njëkohësisht kreu i një prej dy forcave kryesore qeverisëse, Matteo Salvini ka vijuar kritikat ndaj këtij vendimi të paprecedentë.

“Më duket një sulm paragjykues. Kundërshtimi kryesor është që nuk duhet të prekim ligjin Fornero që është në programin e 90% të partive, me përjashtim të PD-së. Është një sulm ndaj ekonomisë italiane sepse dikush kërkon të blejë kompanitë tona nën kosto” u shpreh zëvëndëskryeministri e ministri i Brendshëm italian Salvini ndërsa komentonte vendimin e Brukselit, raporton ANSA.

Ai vijoi më tej duke thënë se “nga Brukseli mund të më dërgojnë edhe 12 letra por manovra nuk ndryshon”.

Një ditë më parë, qeverisë italiane iu refuzua propozimi për buxhetin me argumentin se nuk i qëndron linjës së uljes së borxhit publik. Ndaj, qeverisë italiane iu kërkua që të bëjë një propozim të ri buxhetor.

“Sot për herë të parë Komisioni është i detyruar të kërkojë nga një vend i eurozonës që të rishikojë projekt-buxhetin e tij” tha Zëvendës-Presidenti i BE-së Valdis Dombrovskis ndërsa njoftonte vendimin një ditë më parë.

Modifikuar më E mërkurë, 24 October 2018 17:07
Login to post comments