Gjermania do të ashpërsojë kushtet për ndihmën për zhvillimin

E Enjte, 25 October 2018 08:54

Gjermania është përgatitur që të ashpërsojë kushtet e ndihmës për vendet në zhvillim, në përpjekje për të luftuar korrupsionin, për të garantuar të drejtat e njeriut dhe për të nxitur krijimin e strukturave demokratike.

Në një dokument të ri strategjik të publikuar në prag të takimit të G20-ës me Afrikën javën që vjen në Berlin, Ministria gjermane e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit përvijoi plane për të reduktuar numrin e shteteve partnere dhe për të kontrolluar më mirë se si shpenzohen paratë e ndihmave.

Të ashtuquajturat "partneritete për reforma", që Gjermania ka tashmë me me Ganën dhe Tunizinë do të kërkojnë që vendet e synuara të rritin gjithashtu kontributet vetjake për zhvillimin.
Sipas dokumentit strategjik të quajtur "Entwicklungspolitik 2030" ("ndihma për zhvillimin 2030"), "një element i rëndësishëm i së gjithës është krijimi i financave kombëtare dhe i administratave të taksave, i zyrave të llogarive dhe i institucioneve për të luftuar korrupsionin".

Në prezantimin e dokumentit këtë javë, ministri gjerman i Zhvillimit, Dirk Müller tha se qeveria gjermane do të nisë gjithashtu një program të ri monitorimi, duke kontrolluar marrëveshjet e bashkëpunimit të Gjermanisë me 85 shtete, të cilave aktualisht u jep para.

Bizneset duhet të japin kontributin e tyre

Gjermania dërgon rreth 4,4 miliardë euro ndihmë për vendet në zhvillim në botë çdo vit, shumica e së cilës shpenzohet në Afrikë. Administrata e Angela Merkelit e ka bërë moto të saj "luftimin e shkaqeve të migrimit" duke ndihmuar ekonomitë e Afrikës. Kjo do të jetë njëra nga temat edhe javën e ardhshme në konferencën për Afrikën në Berlin.

Kancelarja ka thënë se është e vendosur që ta bëjë pikërëndesë në presidencën aktuale të Gjermanisë të G20-ës inkurajimin e investimeve private në Afrikë.
Këtë javë, ministri Müller e përsëriti këtë mesazh, duke kërkuar që bizneset gjermane të bëjnë më shumë për t'u angazhuar. "Afrika është kontinent i rritjes i së ardhmes", tha ai në një intervistë me të përjavshmen gjermane Die Zeit. "Në dhjetë vitet e ardhshme në Afrikë dhe në Evropë do të ndërtohet aq sa në njëqind vitet e fundit. Për inxhinjerët gjermanë, ndërtimin dhe kompanitë e energjisë kjo do të krijojë shanse të mëdha".

Politikanë të opozitës nuk u bindën nga deklarata për ndryshimin e paradigmës në ndihmën gjermane për zhvillimin. Zëdhënësi për zhvillimin i partisë së të Gjelbërve i vlerësoi të gjitha synimet që shprehu ministri Müller, por i quajti fjalë të bukura dhe nuk beson që do të zbatohen. Një nga instrumentat më efektivë për të forcuar qeverisjen e mirë, tha ai, nuk do të ishte reduktimi i ndihmës, por financimi direkt i buxheteve shtetërore.

Login to post comments