Hetuesit amerikanë nuk kanë ende një pistë të qartë se kush fshihet pas pakove të dyshuara me eksploziv që iu dërguan këtë javë, figurave më të rëndësishme të grupimeve politike liberale. Por ish-bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete hedhin dyshime se pakot e dërguara nuk ishin planifikuar të shpërthenin apo të vrisnin personat të cilëve u drejtoheshin.
E përditshmja Daily Mail citon ish-agjentin e CIA-s Methju Bredli, i cili hedh dyshime se dërguesit kërkonin të trembnin njerëzit e të shkaktonin përçarje më shumë sesa të dëmtonin persona të caktuar.
Skanimet me rreze X treguan se pajisjet e vendosura në pako nuk kishin ndezës për të kryer shpërthimin, por përmbanin pluhur shpërthyes, arsye për të cilën FBI i kategorizoi si pajisje të rrezikshme. Presidenti Trump fajësoi ato që i konsideron “media të rëndomta” për përhapje paniku. Së fundi, një pako i është dërguar edhe rrjetit televiziv amerikan CNN. Ndërsa gjatë javës, dërgesa të tilla morën George Soros, Barack Obama, Bill e Hillari Clinton e Robert de Niro.