Një person është arrestuar nga autoritetet amerikane si i dyshuar për pakot bombë që u janë dërguar figurave publike në vend. CNN raporton se i dyshuari u arrestua nga autoritetet federale, ndërsa identiteti nuk është bërë i ditur.
Sot u gjet një tjetër pako e dyshimtë në Manhattan. Ajo ishte dërgesë postare në adresë të ish-drejtorit të Inteligjencës Kombëtare James Clapper.
Gjatë ditëve të fundit, janë gjetur 12 pako të dyshimta që u janë dërguar 10 personaliteteve në SHBA. Në mesin e tyre janë miliarderi George Soros, ish-Presidenti Barack Obama, ish-Presidenti Bill e bashkëshortja e tij Hillary Clinton, ish-zv/Presidenti Joe Biden, aktori Robert de Niro etj.
Edhe zyrave qëndrore të CNN iu dërgua një pako me material shpërthyes. Shtëpia e Bardhë i dënoi këto ngjarje duke i cilësuar sulme të dhunshme.