Pas shumë debateve dhe thashetheme, vetë ministri i brendshëm, Oliver Spasovski ka thënë se familja e të arratisurit Nikolla Gruevski është në Maqedoni.
“Bashkëshortja e tij ka qenë në shtëpi dhe i ka mundësuar pjesëtarëve të MPB-së të kryejnë kontrolle. Kjo është bërë edhe në shtëpinë e nënës së tij”, ka theksuar ministri Spasovski në emisionin “Vetëm e vërteta” në Kanal5.
Të hënën kur kishte skaduar afati për të ndërmarrë masat për ndalimin e Gruevskit, policia pas urdhërit të gjykatës, ka shkuar në shtëpinë e ish-kryeministrit, por nuk ka gjetur askend.
Ministri Spasovski ka thënë se Gruevski nuk ka ikur në rrugë ajrore, por ka shfrytëzuar kalime të “gjelbërta” në disa zona kufitare që nuk mund të mbyllen hermitikisht.
Janë spekulime të ndryshme se si është arratisur, disa kanë shkruar se ka qenë i maskuar si grua, se ka përdorur pasaportë bullgare dhe se ka dal nga kufiri përmes një makine diplomatike hungareze. (INA)